Lajme
Serbia dëbon diplomatin kroat, Kroacia: Hap drejt destabilizimit të mëtejshëm
Demokracia
09:19 | 21 Nëntor 2023

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë e ka shpallur person të padëshirueshëm sekretarin e parë të Ambasadës së Kroacisë në Serbi, Hërvoj Shnajder, ka njoftuar të hënën diplomacia serbe nëpërmjet një komunikate për media, derisa vendimi është cilësuar nga shteti kroat si hap drejt përkeqësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.

Gjatë angazhimit të tij profesional në Serbi, siç thuhet në komunikatën e diplomacisë serbe, sekretari i parë i ambasadës kroate, por pa dhënë detaje tjera lidhur me rastin, ka devijuar nga korniza e normave diplomatike dhe ka shkelur Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike (1961). E këtë vendim e ka kundërshtuar ashpër shteti kroat.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë ka shprehur keqardhje për vendimin e Serbisë që sekretarin e parë të Ambasadës së Kroacisë në kryeqytetin serb ta shpall persona non grata , derisa ky akt është vlerësuar nga diplomacia kroate si hap drejt destabilizimit të mëtejshëm të kushteve të ndjeshme politike dhe të sigurisë rajonale.

“Vendimi i lartpërmendur i Serbisë paraqet një hap drejt përkeqësimit të marrëdhënieve të ndërsjella dhe destabilizimit të mëtejshëm të kushteve të ndjeshme politike dhe të sigurisë rajonale në një kohë kur stabiliteti në juglindje të Evropës është i një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë Evropën”, thuhet në komunikatën e diplomacisë kroate.

Kroacia ndër të tjera ka shprehur shqetësimin e thellë se dëbimi i diplomatit kroat paraqet presion shtesë ndaj punonjësve të ambasadës kroate në Beograd, i cili, sipas diplomacisë kroate, manifestohet posaçërisht në periudhën parazgjedhore në Serbi.

 

Të ngjashme