Shkruan: Mero Baze
Seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën ku mori pjesë kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq pati një profil ulët publik, edhe pse Rusia ishte sponsore e takimit. Edhe qëndrimet diametralisht të kundërta për gjendjen në Kosovë në fjalimet e Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq, nuk është se përbëjnë ndonjë lajm të ri për botën, pasi rëndom klasifikohen si propagandë.
E vetmja gjë e rëndë për Kosovën në këtë seancë, për fat pa shumë vëmendje ndërkombëtare, ishte se seanca ekspozoi problemin e Kosovës me Perëndimin, i cili është sponsori i themelimit të shtetit të Kosovës nën mbikëqyrjen e OKB.
Sekretarja e Përgjithshme e OKB mbajti qëndrim kritik ndaj qeverisë së Kosovës për masat e marra në mënyrë të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët e Kosovës.
Fakti më i rëndë kundër Kosovës është se nëntë vende anëtare të Këshillit të Sigurimit që e njohin Kosovën, kanë mbajtur qëndrim kritik ndaj saj, duke përmendur mungesën e koordinimit dhe veprime të nxituara ndaj komunitetit serb në Kosovë.
Vendet që e njohin Kosovën dhe janë pranë saj, u detyruan pra të jenë kritike për hapat e njëanshme të qeverisë së Kosovës pa u koordinuar me Perëndimin. Edhe pse ata tentuan të ekuilibrojnë qëndrimet e tyre duke dënuar agresionin në Banjskë dhe llogaridhënien e Serbisë për këtë rast, seanca e bëri fakt të kryer ekzistencën e një problemi politik me serbët në Kosovë, duke ju referuar akteve të qeverisë Kurti.
Kjo në fund të seancës la për serbët perceptimin se ata janë viktima të vendime të qeverisë së Kosovës për shkak të moskordinimit të saj me vendet aleate perëndimore.
E kuptoj që shumë njerëz mendojnë se hartimet e Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit janë ngjarje për Këshillin e Sigurimit, por në fakt ato as merren në konsideratë. Ajo që mbetet është perceptimi se Kosova po ndërmerr hapa të pakoordinuar me Perëndimin, ose e thënë më thjesht, Albin Kurti i ka vënë në pozitë të vështirë vendet aleate të Kosovës në Perëndim, të cilat janë të detyruara të ekspozojnë problemet që kanë me qeverinë e Kosovës. Një prej tyre, më i rëndësishmi, është moskordinimi i qeverisë së Kosovës me to.
Pra nëse për asgjë, edhe nëse i injorojmë shpikjet e serbëve për persekutim nga shqiptarët, seanca në Këshill të Sigurimit ka shërbyer për të kuptuar se Kosova nuk i ka aq mirë punët me Perëndimin, falë akteve të kryeministrit Kurti.
Është një perceptim që serbët kanë 25 vjet që e presin dita ditës. Ëndrra e tyre finale është futja e Kosovës në konflikt me Perëndimin dhe shfaqja e tyre si viktimë e shqiptarëve në Kosovë.
Këtë ëndërr 25 vjeçare të serbëve, Albin Kurti po e realizon si perceptim, pasi e vërteta është se serbët nuk janë viktima të shqiptarëve në Kosovë. Por Kosova në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit e humbi këtë betejë, derisa vendet aleate të Kosovës, ato që e kanë njohur dhe e mbështesin Kosovën, u detyruan të jenë kritike ndaj saj.
Tani për të krijuar perceptimin e një vendi të drejtë dhe aleat të Perëndimit, Albin Kurtit do t’i duhet shumë herë më tepër punë, dhe fatkeqësisht më shumë lëshime për serbët, për ta hequr këtë imazh të rëndë për Kosovën.
Dhe ky imazh nuk hiqet me lajme sensacionale se Albin Kurtin duan ta vrasin serbët. Nuk balancohet imazhi i Kosovës me viktimizimin e Albinit, meqë janë viktimizuar në mënyrë të padrejtë dhe serbët.
Nuk është në pyetje viktimizimi i Albinit, por Kosova si viktimë e politikave të tij kundër Perëndimit. Dhe kjo nuk zgjidhet duke u ngritur alarmi se po na vrasin Albinin, por duke u ngritur alarmi real, se politikat e tij mund të vrasin Kosovën.