Lajme
Seanca 3-orëshe për ‘Partygate’: Johnson me Bibël në duar, përplaset me deputetët
Demokracia
22:57 | 22 Mars 2023

Share:

Në një grindje të nxehtë me deputetët, ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka insistuar në mënyrë të përsëritur se ai nuk e ka mashtruar qëllimisht Parlamentin lidhur me ‘Partygate’.

Të mërkurën, Johnson ka nisur një seancë maratonë tre orëshe me një Bibël në duar, teksa është betuar duke thënë: “Dora në zemër, nuk gënjeva Dhomën”.

Ai megjithatë, ka pranuar se distancimi social nuk kishte qenë “i përsosur” në tubimet në Downing Street gjatë bllokimeve të Covid, por ka shtuar se ato kanë qenë ngjarje “thelbësore” të punës, të cilat ishin të lejuara.

Më tej, Johnson ka këmbëngulur se udhëzimet ishin ndjekur në çdo kohë por deputetët kanë kundërshtuar pohimet e tij, me kreun e komisionit, Harriet Harman, që i përshkroi arsyetimet si “të dobëta”.

Johnson është përplasur në mënyrë të përsëritur edhe me deputetin konservator, Sir Bernard Jenkin, duke i thënë me zemërim Johnsonit se ai po fliste “marrëzira të plota” duke sugjeruar se ishte mbështetur shumë në atë që këshilltarët politikë po i thoshin atij.

BBC raporton se Komiteti i Privilegjeve është duke hetuar deklaratat e Johnson që bëri në Parlament, pas publikimit të pamjeve nga festa me alkool dhe tubime të tjera në Downin Street, gjatë kohës së bllokimit nga Covid.

Bëhet e ditur se në rast që zbulohet se Johnson ka mashtruar qëllimisht Parlamentin, ai do të përballet me pezullim nga Dhoma e Përfaqësuesve – një veprim që mund të sjellë zgjedhje të pjesshme në zonat e Uxbridge dhe South Ruislip.

Të ngjashme