Lajme
“Së paku 30 policë e ushtarakë janë nën rrethimin tonë” | 3 u vranë dhe 6 u arrestuan, ku mbetën terroristët e tjerë?
Demokracia
08:46 | 25 Shtator 2023

Share:

Të dielën e 24 shtatorit, të paktën 3 terroristë serbë janë vrarë e 6 të tjerë janë kapur gjallë nga njësitet elitare të Policisë së Kosovës në Banjskë të komunës së Zveçanit. Të gjithê këta, së bashku me dhjetëra persona të tjerë, ia kishin mësyrë sulmit mbi institucionet e Republikës së Kosovës.

Një polic i Kosovës, Afrim Bunjaku, ka mbetur i vrarë në orët e para të ditës së diel dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, shkruan Demokracia.com. Sipas të dhënave të deritashme, vetëm për 9 terroristët dihet se çfarë ka ndodhur (3 të vrarë, 6 të arrestuar), por për më shumë se 20 prej tyre nuk dihet se nga janë “zhdukur”.

Opsione të ndryshme po qarkullojnë në medie. Njëri prej tyre lë të kuptohet se pjesa më e madhe e grupit terrorist janë lënë të ikin, pas negociimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur njē konferencë të jashtëzakonshme mesditën e së dielës. Ai në disa raste e ka theksuar se grupi terrorist përbëhet nga së paku 30 persona dhe u ka bërë thirrje që të dorëzohen.

“Është e qartë që këta persona që janë të paktën 30 vetë paraqesin një formacion të organizuar që duket se ka ardhur të luftojë në Kosovë, por unë ju bëjnë thirrje që tu dorëzohen organeve të drejtësisë”, tha Kurti në një rast.

Ndërkaq, në një përgjigje tjetër, ai dha më shumë detaje për përbërjen e grupit terrorist, duke e dëshmuar këtë edhe me fotografi.

“Sulmet janë duke vazhduar, janë së paku 30 të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhën nën rrethimin e forcave tona dhe i bëjë thirrje të dorëzohen tek organet e sigurisë”, tha Kurti.

https://demokracia.com/kurti-i-bej-thirrje-te-dorezohen-grupit-te-armatosur-qe-po-e-sulmojne-policine-e-kosoves/ https://demokracia.com/svecla-mbi-30-persona-nga-manastiri-i-basnjes-po-e-vazhdojne-sulmin-ndaj-policise-u-bejme-thirrje-te-dorezohen/

Ende nuk ka informacione zyrtare se çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër të grupit terrorist. Në orët e vona të së dielës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se “gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”. /Demokracia.com/

Të ngjashme