Lajme
Sali Berisha, që sipas CIA-s ishte kundër pavarësisë së Kosovës, e  sulmon rëndë Edi Ramën
Demokracia
19:28 | 06 Korrik 2023

Share:

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha turin e takimeve të Edi Ramës në Ballkanin Perëndimor e ka cilësuar të turpshëm

Berisha, i cili sipas një dokumenti të CIA-s kishte lobuar në Amerikë kundër pavarësisë së Kosovës, e akuzoi Ramën se ka ndjekur agjendën e Serbisë gjatë këtyre viteve, si dhe theksoi se Rama kërkon të shpëtojë nga afera Mcgonigal, shkruan Demokracia.com.

Berisha e ka cilësuar të turpshëm turin e takimeve të kryeministrit Edi Rama në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Ramën se që nga 2013 kur ka marrë pushtetin ka punuar kundër interesit të Prishtinës zyrtare, duke ndjekur agjendën e Serbisë, për ndarjen e Kosovës.

Ndërhyrjet e Ramës në punët e brendshme të Kosovës, sipas Berishës vijnë për shkak se kreu I qeverisë do të shpëtojë nga afera me ish zyrtarin e lartë amerikan Charles Mcgonigal.

Ky dokument i deklasifikuar i shërbimit sekret amerikan, konfirmon se në vitin 1995, ish-presidenti, Sali Berisha ishte kundër pavarësisë së Kosovës.

Madje në raportin e CIA-s  nënvizohet se në prag fushate, Sali Berisha ashpërsoi qëndrimet për çështjet etnike, duke e përdorur kartën nacionaliste për të mundur socialistët.

Dokumenti i CIA-s studion mundësitë për konflikte në Ballkan, dhe në kapitullin “Potenciali i Tiranës për të ndikuar në rajon” aktori kryesor i mbajtur nën vëzhgim, është Sali Berisha.

Dhe jo pa të drejtë, sepse presidenti i Shqipërisë në atë kohë takonte diplomatë amerikanë të cilëve ju deklarohej kundër Pavarësisë së Kosovës.

“Berisha – me shumë gjasa duke njohur pozicionin e dobët negociues të shqiptarëve etnikë – vazhdon të këmbëngulë që Rugova të heqë dorë nga kërkesat për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson se fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën të shmangë presionin nga liderët më aktivistë shqiptarë të Kosovës”.

Raporti vijon edhe me tej, duke nënvizuar rrezikun që në prag fushate, Berisha të nxiste konfliktin.

“Një sfidë politike nga socialistët e Shqipërisë–ish-komunistë–në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta bëjë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër për çështjet rajonale etnike-shqiptare. Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të marrë mbështetje nga partitë e vogla të djathta”.

Ky raport i takon dhjetorit të vitit 1995. Ajo që ndodhi më pas, ishte se pikërisht pas zgjedhjeve, Berisha i kërkoi Ibrahim Rugovës që t’i bashkohej protestës së opozitës serbe.

Ndoshta ishin këto arsyet që e bënë Rugovën ta ndërpriste marrëdhënien me Berishën për të mos i rivendosur kurrë.

Më pas, Berisha nuk e fshehu se ishte kundër pavarësisë së Kosovës, duke i kërkuar edhe Hashim Thaçit të mos e firmoste marrëveshjen e Rambujesë, aty ku u hodh hapi i parë i shkëputjes së Kosovës nga Serbia.

Të ngjashme