Lajme
Sadiku: Jam para vendit ku do të bëhet betimi, s’ka asnjë indikacion për pengesa
Demokracia
21:59 | 18 Maj 2023

Share:

Zëvendëskryetari i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Skënder Sadiku ka thënë se nuk ka asnjë indikacion se gjatë betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq do të ketë pengesa nga grupe të caktuara.

Duke folur për emisionin Pressing në T7, Sadiku ka thënë se gjithçka planifikohet të realizohet sipas afateve dhe procedurave ligjore.

“Po nesër, siç keni njohuri, sipas afateve ligjore, asambletë komunale mbajnë mbledhjet solemne. Të gjitha përgatitjet janë bërë. Është një pikë e rendit të ditës që do të kalojë pa asnjë telash”, ka thënë ai gjatë emisionit.

Ai ka thënë se edhe në këto orë të vona është ende para Kuvendit Komunal të Mitrovicës, ku janë bërë përgatitjet e fundit për ceremoninë e nesërme.

“Jam para Kuvendit Komunal ku nesër do ta mbajmë mbledhjen. Shpresoj që dita e nesërme do të jetë një ditë e zakonshme. Betimi do të mbahet aty ku i mbajmë seancat, në Kuvendin Komunal, i cili është donacion nga BE dhe qeveria e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, sa i përket frikës për destabilizim të situatës, si pasojë e kundërshtimit nga grupe të caktuara në veri ndaj kryetarëve të rinj, ai ka thënë se nuk ka indikacione se dikush mund ta pengojë ceremoninë.

“Nuk ka as indikacione më të vogla që do të pengohemi”, ka thënë Sadiku.

“Ne po e kërkojmë normalitetin. Po flas edhe në emër të shqiptarëve, por edhe të serbëve”, ka deklaruar ai.

 

Të ngjashme