Lajme
Sa peshon pasuria e deputetes Kica-Xhelili që iu bashkua LDK-së?
Demokracia
15:00 | 08 Shtator 2022

Share:

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili, zyrtarisht është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo është prej rasteve të rralla që deputeti i partive në pushtet kalon në opozitë. Por, përveç këtij veprimi të rrallë, ajo nuk qëndron keq edhe me pasurinë që ka mbi vete dhe familjen.

Doarsa Kica-Xhelili që vlerësohet si një nga deputetet më të bukura të Kuvendit të Kosovës, nga dita e sotme është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputeten Kica-Xhelili, që deri tash ishte në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo, e ka prezantuar sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kica-Xhelili për herë të parë është bërë deputete në vitin e kaluar, shkruan Demokracia.com.

Duke qenë në këtë pozitë, ajo ka deklaruar pasurinë e saj në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ajo ka deklaruar tek pasuria e paluajtshme se posedon një shtëpi dhe parcelë në emër të bashkëshortit, që të dyja kapin vlerën 66 mijë euro.

Po ashtu, ajo posedon edhe një veturë personale në vlerë 10 mijë euro.

Edhe familja Kica ka treguar se janë bërë pjesë e kriptovalutave, ku kanë bërë një investim të vogël.

Tek pasuria e paluajtshme kanë treguar se kanë 1 mijë e 380 euro në kriptovaluta dhe 852 euro në një bankë.

Deputetja Kica-Xhelili ka deklaruar se në emër të bashkëshortit të saj posedojnë tri biznese private, dy kafiteri dhe një lokal ushqimor, ku vlera e aksioneve të tyre kap vlerën 3,500 euro.

Mbi 2 mijë euro janë kursimet e bashkëshortit të saj, derisa mbi 21 mijë euro janë në borxhe si kredi.

Paga e saj mujore si deputete e Kuvendit të Kosovës është mbi 1.500 euro, ndërsa të hyrat totale vjetore të saj dhe bashkëshortit kapin vlerën mbi 31 mijë euro.

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, përfundimisht sot i ka ndarë rrugët me këtë grup dhe me subjektin e saj, Listën Guxo.

Kica-Xhelili ka dhënë dorëheqje në fillim të verës nga Lista Guxo, e pakënaqur plotësisht me punët në këtë subjekt në tentativë, kurse edhe raportet me grupin e saj, atë të LVV-së, nuk ishin më të mirat e mundshme.

Zakonisht, deputetët e opozitës i bashkohen pushtetit, por në rastin e deputetes Kica-Xhelili del të jetë ndryshe. Nga pushteti, ajo kaloi në partinë opozitare, LDK./Demokracia.com/

 

Të ngjashme