Sport
Rudiger transferimi më i ri i Realit, ja arsyeja e largimit nga Chelsea
Demokracia
21:26 | 21 Maj 2022

Share:

Nuk e ka thënë me gojën plot se duke nisur nga sezoni i ardhshëm do të luajë me Realin e Madridit, por e ardhmja e mbrojtësit të Chelseat, Antonio Rudiger, tashmë është e shkruar.

Sipas të gjitha gjasave ai shumë shpejt do të jetë nën urdhrat e trajnerit të Madridit, Carlo Ancelotti, duke lënë në këtë mënyrë Anglinë për të nisur një aventurë të re në Spanjë.

Në fakt vendimin për të lënë Chelsean e kishte marrë që në mars. Për gjermanin, siç e ka shpjeguar vetë për gazetën britanike “Daily Mail” vendimi për t’u larguar ka ardhur me kohën, pasi fillimisht nuk e kishte menduar një gjë të tillë.

“U befasova pasi klubi po vonohej për rinovim, por vendosa të qëndroj i heshtur”, ka thënë Rudiger. Jo vetëm kaq, por si një profesionist ai i premtoi trajnerit Tuchel dhe shefes Marina Granovskaja që debati mbi kontratën nuk do të qëndronte jashtë fushës. Më pas lufta në Ukrainë… që solli dhe ngrirjen e Abramovichit dhe të çdo lëvizjeje të klubit.

“Vendimi im për t’u larguar erdhi në mars për të qenë i sinqertë. Askush prej nesh nuk i priste sanksionet ndaj presidentit. Tani është shumë e lehtë të kapesh pas sanksioneve. Por në rastin tim zvarritja ishte një proces mes gushtit 2021 dhe janarit 2022. Shpesh pyesja veten se çfarë po ndodhte. Më pas në janar vjen presioni nga klubet e tjera, ndërkohë që njerëzit, tifozët nuk e dinë çfarë po ndodh. Duhet të presësh deri në qershor në pritje të pronarit të ri. Por edhe më sot nuk mund të bisedosh me të, sepse për ta bërë duhet të kalosh nëpërmjet qeverisë e të tilla situata. Unë nuk doja të shtyja gjithçka për në qershor, sepse kjo nuk është një histori e një muaji, por një histori e një viti plot pasiguri e paqartësi”.

Vendimi i Rudigerit për të lënë Çelsin në mbyllje të sezonit nuk ka qenë një vendim personal i tij.

Një rol të madh ka pasur edhe familja, në veçanti bashkëshortja Loren. “Në këto raste duhet të flasësh dhe me partneren tënde dhe unë e bëra. Por ajo ma ngarkoi të gjithë përgjegjësinë mua, duke më lënë mua të bëj zgjedhjen. Fëmijët janë ende të vegjël. Unë jam 29 vjeç dhe vendosa të provoj një eksperiencë të re.

E di se shumë persona nuk janë të kënaqur dhe i mirëkuptoj”, ka thënë ai. /Demokracia.com

Të ngjashme