Lajme
Rritje çmimesh, varfëri e skamje: Sa përfitojnë qytetarët e Kosovës nga ideja “për një të punësuar për familje”?
Demokracia
12:59 | 19 Korrik 2022

Share:

Në Kosovë llogaritet se janë afro 20 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë, që nuk kanë asnjë të punësuar. Këtyre po mundohet t’u bëjë zgjidhje Qeveria, me idenë “për një të punësuar për familje”. Por, njëkohësisht në vendin tonë është rritur edhe varfëria. Çmimet e produkteve kanë prekur “qiellin”.

Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që janë të papunë dhe nuk kanë asnjë anëtarë të familjes të punësuar të lajmërohen në Zyrat për Punësim.

Kurti ka premtuar që kompanitë do të marrin subvencione prej 70% të pagës për çdo punëtor të ri në kuadër të kësaj skeme. Këtë ide gjatë ditës së djeshme e ka shpalosur edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Sipas ministrit Murati, kjo masë është përgatitur me qëllim që të rritet numri i të punësuarve, duke i mbështetur në të njëjtën kohë edhe bizneset që i punësojnë anëtarët e familjeve që janë në nevojë dhe nuk kanë asnjë të punësuar.

Kriteret kryesore për të përfituar nga kjo masë janë që mosha e përfituesit potencial duhet të jetë minimumi 18 vjeç deri në 64 vjeç, të mos ketë asnjë anëtar tjetër të familjes të punësuar, si dhe të jenë të regjistruar si të papunë/punëkërkues në Agjencinë e Punësimit (APRK).

LEXO EDHE:

Kush mund të punësohet me skemën e re? – Demokracia

Por, këtë nismë të Kurtit e Muratit po e vlerësojnë si të dështuar njohësit e ekonomisë në Kosovë.

“Të pjesa e politikave ekonomike po shihet se kjo Qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë sens të bërit ekonomi të tregut dhe punësimi nuk bëhet përmes sustave, por përmes krijimit të vendeve të reja të punës. Kjo s’mundet më ndodh, pasi duhet të krijohen investime. Ai duhet të tregoj sa investime kapitale ka bërë këtë vit për më pas mundësi më krijua vende të punës e jo përmes këtyre byrove, pasi deri tash janë treguar të dështuara”, ka deklaruar eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, shkruan Demokracia.com.

Edhe ish- kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, ka thënë për Klan Kosova se masa e re e Qeverisë, për së paku një të punësuar në familje, është një masë afatshkurtër, që nuk i zgjidh problemet sociale.

“Kjo është një masë afatshkurtër, 5 deri në 6 muaj, me këso masash është problem të zgjidhen probleme sociale… Është vendim i shpejtë apo ad hoc dhe me masa të tilla afatshkurtër është e vështirë të zgjidhen probleme”, ka thënë Gerxhaliu.

Sipas tij, ky është momenti i fundit të ndihmohen qytetarët, por jo në këtë formë.

“Është momenti i fundit të ndihmohen qytetarët në nevojë, jo në këtë mënyrë, por të gjenden forma tjera”, ka shtuar ai.

Gerxhaliu ka thënë se defekti më i madh i Kosovës për të pasur projekte të mirëfillta është mungesa e të dhënave të sakta bazuar në rezultate.

Se Qeveria duhet të mendojë për vendime më afatgjata dhe jo veç 6-mujore e thotë edhe profesori tjetër i ekonomisë, Muhamet Sadiku.

“Ky është një ineksion social për një kohë 6 muaj, do të thotë periudhë e shkurtër. Sepse problemet në Kosovë me vështirësitë ekonomike kanë me zgjatë më shumë se 6 muaj. Por për këtë situatë e ka një kuptim të sadopaktë, sepse është një ndihmë për familjet që nuk kanë askënd në punë. Qeveria duhet të mendojë për mbështetje më afatgjatë, jo me vendime për 6 muaj, sepse jetë ka edhe pas atyre 6 muajve”, ka treguar ai për Nacionalen.

Sipas Agjencisë së Statistikave, gjatë muajit maj në Kosovë 25 mijë e 482 familje, me gjithsej 100 mijë e 608 anëtarë, kanë marrë ndihma sociale. Shuma e rregullt që marrin këto familje është nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Agjencia e Statistikave ka treguar se edhe gjatë muajit të kaluar një numër i madh i qytetarëve të Kosovës kanë qenë të varur nga ndihmat sociale.

Sipas raportit të ASK, nga skemat sociale kanë përfituar 100 mijë e 608 qytetarë të Kosovës.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit Maj 2022: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 482 familje me gjithsej 100 608 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 648 familje”, ka treguar ASK, raporton Demokracia.com.

Sipas një analize të Bankës Botërore të publikuar në mars, Kosovës i duhet t’i reformojë programet e saj për mbrojtje sociale, në atë mënyrë që të reduktojnë varfërinë në vend.

Kosova, në total ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.

Për mbulimin e tyre, nga buxheti i shtetit ndahen mbi 500 milionë euro çdo vit. Buxheti i Kosovës për vitin 2022 është 2.7 miliardë euro.

Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi sociale, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës, etj.

LEXO EDHE:

Mbi 100 mijë kosovarë jetojnë nga ndihma sociale – Demokracia

Skemat sociale të Kosovës janë kritikuar shpesh edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka tërhequr vërejtjen se ato mund ta fusin Kosovën në krizë fiskale.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Në Kosovë, pothuajse të gjitha produktet e konsumit janë shtrenjtuar dukshëm që nga viti i kaluar.

Tashmë inflacioni ka shkuar si kurrë më parë, në 14.1 për qind. Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet.

Në raportin e publikuar më 12 korrik, thuhet se rritja e çmimit të karburanteve arriti në 15.4 për qind, krahasuar me muajin maj apo 67,3% për dallim nga qershori i 2021-s.

Njëkohësisht, kjo shënon rritjen më të madhe të çmimit të karburanteve.

“Buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%),mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbimet hoteliere (2,3%)”/Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Gjendje alarmante në Kosovë| Rriten përsëri produktet ushqimore, inflacioni shkon në rekord mbi 14 për qind – Demokracia

Të ngjashme