Lajme
Mbi 100 mijë kosovarë jetojnë nga ndihma sociale
Demokracia
10:14 | 27 Qershor 2022

Share:

Gjatë muajit maj në Kosovë 25 mijë e  482 familje me gjithsej 100 mijë e 608 anëtarë, kanë marrë ndihma sociale.  Shuma e rregullt që marrin këto familje është nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Agjencia e Statistikave ka treguar se edhe gjatë muajit të kaluar një numër i madh i  qytetarëve të Kosovës kanë qenë të varur nga ndihmat sociale.

Sipas raportit të ASK nga skemat sociale kanë përfituar 100 mijë  608 qytetarët të Kosovës.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit Maj 2022: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 482 familje me gjithsej 100 608 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 648 familje”, ka treguar ASK, raporton Demokracia.com.

Shuma e rregullt që marrin këto familje është nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Ndërkaq, nga skemat pensionale, Agjencia e Statistikave ka treguar se në bazë të moshës janë 149 mijë e 794 përfitues.

“…nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 49 975 përfitues, nga skema për pensionet familjare janë 3 372 përfitues, nga skema për pensionet invalidore janë 64 përfitues, nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 899 përfitues, nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1 249 përfitues, nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 657 përfitues, nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 776 përfitues, nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 081 përfitues, nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 277 përfitues.

Nga shteti pensione kanë marrë edhe invalidët dhe veteranët e luftës. Ky numër sipas ASK është 36 mijë e përfitues veteran dhe mbi 13 mijë invalid, raporton Demokracia.com.

“Nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 213 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 36 907 përfitues”.

ASK ka treguar se bazuar në Planin Vjetor të Statistikave Zyrtare 2022 “ Statistikat e Mirëqenies Sociale’’ nga publikimi në baza tremujore do të kaloj në baza mujore dhe do të vazhdoj si publikim i rregullt mujor.

“Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj”.

Sipas një analize të Bankës Botërore, të publikuar në mars, Kosovës i duhet t’i reformojë programet e saj për mbrojtje sociale, në atë mënyrë që të reduktojnë varfërinë në vend.

Kosova, në total, ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.

Për mbulimin e tyre, nga buxheti i shtetit ndahen mbi 500 milionë euro çdo vit. Buxheti i Kosovës për vitin 2022 është 2.7 miliardë euro.

Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi sociale, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës etj.

Skemat sociale të Kosovës janë kritikuar shpesh edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka tërhequr vërejtjen se ato mund ta fusin Kosovën në krizë fiskale.

Ngjashëm, edhe njohës të çështjeve ekonomike dhe sociale kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova t’i modifikojë skemat sociale.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Në Kosovë, pothuajse të gjitha produktet e konsumit janë shtrenjtuar dukshëm që nga viti i kaluar.

Në shkurt, inflacioni ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021./Demokracia.com/.

Të ngjashme