OpEd
Rreziku që vjen nga Albin Kurti
Demokracia
07:17 | 09 Qershor 2023

Share:

Nga Fatos Tarifa

Nuk e shoh të nevojshme të flas si një diplomat. Diplomacia është një gjuhë e huaj për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe një kulturë shtetërore që ai qartazi duket se nuk e njeh, ndryshe nga z. Enver Hoxhaj dhe qëndrimet realiste të tij.

Prandaj jam i drejtpërdrejtë dhe e them hapur mendimin që kam për kryeministrin Kurti dhe për qëndrimet e tij vis-à-vis krizës në veri të Kosovës.

Albin Kurti është një politikan mendjengushtë dhe mendjembyllur, jo një politikan mendjehapur. Ai është një politikan dritëshkurtër, jo vizionar për të sotmen dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, një diplomat politikan kryeneç, jo një politikan diplomat i mençur.

Kurti ka dëshmuar se është një “sovranist” folklorik i një shteti, sovranitetin e të cilit e mundësuan dhe e njohën të parët Shtete e Bashkuara dhe fuqitë e mëdha demokratike, pikërisht ato vende që sot e kritikojnë ashpër kryeministrim kosovar.

Kurti është një kryeministër i dobët me kokë “demi”, i gatshëm të përplaset me këdo që di dhe kupton më shumë se sa ai. Ai është një kryeministër që interesat e veta dhe fatin e vet politik i vë mbi interesat dhe fatin e vendit e të popullit të vet.

Kurti është një politikan demagog e populist në një kohë kur duhet të jesh mendjehapur e realist.

Shqiptarët e Kosovës e mundën Serbinë së pari diplomatikisht, në Rambuje, pastaj, të ndihmuar nga Amerika dhe NATO, edhe në fushën e betejës.

Në Rambuje, shqiptarët e Kosovës u përfaqësuan nga djem e burra trima, të mençur dhe diplomatë të zotë; kryeministri Kurti është sot e kundërta e tyre, as trim, as një politikan i mençur, as një diplomat i zoti.

Kryeministri Kurti rrezikon t’i zhbëjë fitoret e hershme të Rambujesë (sidomos simpatinë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve) përmes një politike që nxit konflik dhe të një diplomacie pa krye, përmes së cilës Kosova mund të dalë e humbur dhe zhgënjyese në sytë e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa Serbia (për ironi të fatit, por më shumë akoma për shkak të qëndrimeve refraktare të Kurtit ndaj atij komuniteti) mund të dalë e fituar.

Albin Kurti harron se, edhe pse gjeografikisht Kosova është tokë shqiptare, politikisht ajo u bë dhe u njoh si një republikë politike e pavarur falë gjenerozitetit të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe fuqive të tjera të mëdha demokratike.

Edhe pse analogjia, si çdo analogji, nuk qëndron tërësisht, mund të thuhet se, ashtu si Israeli, Kosova është një krijesë e Amerikës dhe sovraniteti i saj garantohet pikërisht nga Amerika. Dhe nga NATO, që gjithashtu është një krijesë amerikane. It’s as simple as that!

Është naivitet, të themi më të paktën, por, në radhë të parë, është një papërgjegjësi e madhe t’u bësh karshillëk Uashingtonit dhe Brukselit, siç bën Albin Kurti. Kryeministri Rama ka të drejtë kur thotë se ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë dhe s’mund t’u dalësh kundër.

Çështja sot nuk shtrohet nëse duhet ose jo Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian të “ndërhyjnë në punët e brendshme” të Kosovës, siç bën Albin Kurti. Çështja shtrohet nëse Kosova mund bëjë dot pa ndërhyrjet e Amerikës dhe të BE-së, aleatëve të saj më të ngushtë.

Në rrethanat e krijuara, Albin Kurti është jo thesht një fatkeqësi për Kosovën, por edhe një rrezik për fatet e saj.

Në kohën tonë, për ne shqiptarët, kudo që jetojmë në Ballkan, ka vlerë këshilla e mençur e Çërçillit dhënë anëtarëve të kabinetit të tij ditën që la deryrën si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar: “Never be separated from the Americans!” (Kurrë mos u ndani nga amerikanët!).

Është një rastësi fatlume për ne shqiptarët, që në këtë periudhë të zhvillimit tonë historik si komb, interesat tona kombëtare përputhen me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara në rajonin tonë.

Por z. Kurti është i verbër dhe i shurdhët ndaj një të vërtetë kaq të thjeshtë!

Të ngjashme