Lajme
Rreth 120 asete shoqërore janë të lëshuara më qira pa ankand publik, por vetëm me negocim gojor
Demokracia
10:00 | 16 Nëntor 2023

Share:

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është institucioni që menaxhon me pronat e mbetura shoqërore, të cilat akoma nuk janë privatizuar. Këto asete, ku hyjnë toka komerciale e bujqësore, lokale, holele, ndërtesa admistrative, etj., janë të lëshuara me qira, shkruan Demokracia.com.

Për t’u lëshuar një pronë shoqërore me qira, AKP-ja duhet të organizojë tender të hapur, me pjesëmarrje.

Nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, Demokracia.com ka siguruar listën me pronat aktuale nga AKP-ja. Në listë janë 1190 asete për të cilat AKP inkason të hyra në baza mujore.

Aty shihet se janë afro 1200 asete shoqërore për të cilat AKP-ja merr qira. Rreth gjysma e tyre i përkasin Ndërmarrjes “Tregu”, e cila është e shtrirë në Prishtinë. Në dy tregjet e gjelbra në kryeqytet, ku bëhet fjalë për tezgat dhe tek Qendra Tregtare në afërsi të Fushë-Kosovës.

Nga lista e ofruar shihet se janë rreth 120 asete që janë të lëshuar më qiradhënie direkte. Pra, për to është shmangur parimi i konkurrueshmërisë.

Më 13 shkurt 2023, në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere është diskutuar Raporti i Auditimit për të hyrat nga qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Fillimisht, lidhur më këtë raport kishte folur Vlora Spanca, auditore e përgjithshme, duke treguar se bëhet fjalë për një auditim për periudhën 2012-2021.

Më pas në sqarimin e saj, zëvendëskryesuesesja e Bordit të AKP-së, Syzana Dautaj, ka thënë se sa i përket qiradhënieve, “prej se ne jemi aty, çdo qira është bërë përmes tenderimit publik”.

Ne si Bord jemi që një vit e pesë muaj. Periudha e auditimit ka mbuluar vetëm 4 muaj të Bordit të tanishëm. Domethënë, periudha e aludimit të qirave është deri më 31 dhjetor 2021, përderisa ne mbledhjen e parë formale e kemi pasur në shtator. Si Bord, mendoj që kemi bërë shumë, ndoshta nuk është mundur që shumë shpejtë të përmirësohen gjërat, sepse janë disa procedura, disa mënyra që nuk të lejojnë. Mirëpo, në katër muajt e parë të vitit 2021 edhe gjatë vitit 2022, në kemi bërë ndryshime shumë të mëdha, posaçërisht në aspektin e qerave dhe të shitjeve të AKP-së. Çdo gjë është bërë përmes tenderimit në aspektin e qirave, edhe në aspektin e shitjeve është rritur shumë çmimi, mesatarja edhe te pjesa e qirave, edhe të pjesa e shitjeve”, kishte thënë ajo. Por, bazuar në raportin e vetë AKP-së, kjo deklaratë rezulton të mos jetë e vërtetë ose të paktën jo tani, shkruan Demokracia.com.

Këto asete me qiradhënie direkte janë lëshuar me qira nga Bordi aktual i AKP-së.

Rregullorja e AKP-së e vitit 2014 procedurat e qiradhënies së aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, neni 3 përcakton se “Në procedurën e qiradhënies domosdoshmërisht aplikohet metoda e tenderit publik, duke zbatuar njëkohësisht parimet e konkurrencës së lirë, publike dhe transparencës“.

Kjo mënyrë e kontraktimit, duke i anashkaluar procedurat e shpalljes publike, rrezikon parimin e konkurrencës, transparencës dhe arritjen e vlerës për para. Madje, është e kundërta e asaj që ka thënë vetë Dautaj para Komisionit Parlamentar.

Pra, siç shihet në disa raste, bordi aktual i AKP-së ka lidhur kontratat duke trajtuar shfrytëzuesit e pronës si uzurpatorë në bazë të Udhëzuesit për Lirimin e Aseteve të Ndërmarrjeve Shoqerore, i cili ndër tjerash, parasheh që hyrja në marrëdhënien kontraktuale bëhet përmes negocimit nga komisioni i përcaktuar nga AKP.

Ajo që bie në sy është çmimi i ulët për këto qira. Madje edhe më i ulët se çmimi i tregut. Toka bujqësore, plantacione, depo, lokale, objekte, etj., janë disa lloje të aseteve që janë lëshuar më qira me negocime për bizneset dhe personat juridikë. /Demokracia.com/

Të ngjashme