Lajme
Vazhdon qasja joserioze e Qeverisë ndaj raportit të DASh-it që flet për korrupsion serioz qeveritar
Demokracia
16:40 | 02 Maj 2024

Share:

Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë seriozisht raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan për vitin 2023, i cili flet për korrupsionin serioz qeveritar.

Edhe në seancën e sotme parlamentare, ku po diskutohet për gjetjet e këtij raporti, zyrtarët e qeverisë dhe deputetët e partisë në pushtet kanë kontestuar të gjeturat e raportit.

Duke ju përgjigjur reagimeve të deputetëve të opozitës, që kanë përmendur konstatimet e raportit, ata kanë thënë se raporti në fjalë ka lëshime dhe pasaktësi.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe shefja e Grupit Parlament të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

DASH tha se ka korrupsion serioz në Qeverinë Kurti, Kusari-Lila thotë se gjetjet e raportit amerikan s’janë dramatike

Bazuar në numrin e madh të kallëzimeve penale nuk flitet për ngritje të aktakuzave sepse nuk ka të tilla. Sa i përket dy dënimeve me emër që janë për ministren dhe zv kemi të bëjmë me fjalën vonim të deklarimit të pasurisë. Raporti i DASH-it nuk e bën ndarjen cilësore të akterëve për të cilët AGK tregon që kanë sulmuar gazetarët. Një element shqetësues mbetet siguria e grave dhe parandalimi i vrasjeve. Raportet në vazhdimësi i referohen dënimeve të ulëta apo dështimeve të gjyqësorit. Për këtë arsye vettingu duhet të jetë prioritet. Fatkeqësisht raporti ka lëshime dhe pasaktësi. Pasaktësi ka te numri i grave në pozita udhëheqëse”, ka thënë Kusari-Lila.

Edhe më i ashpër ndaj raportit ka qenë Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Para deputetëve, ai ka akuzuar hartuesit e raportit të Departamentit të Shtetit, duke thënë se në dokumentin e tyre kanë përfshirë raportimet nga mediat dhe disa organizata joqeveritare, të cilat, sipas tij, janë ende pjesë e gardës së vjetër.

Nëse hymë edhe në cilësi pastaj, analizojmë fjalët dhe fjalitë aty, e shohim se në disa rasti, raportuesi ose kushdo që e ka hartu raportin, kushdo që ka marrë pjesë, ka ra pjesë e dezinformatave të mediave që ende janë pjesë e gardës së vjetës, e madje edhe disa pjesëtarë të shoqërisë civile që maskohen si të tilla, por në fakt janë përfaësues ose zgjatime të gardës së vjetër.”, ka thënë Murati.

Murati thotë se shteti më i fuqishëm në botë SHBA ka rënë pre e dezinformatave kur e shkroi raportin për Kosovën

Ai ka përmendur edhe një shembull, kinse për ta arsyetuar atë që ka thënë.

Për korrupsion pesë ministra? Ky vjet u pat plasu, njëri nga këta pesë ministra, është përmend edhe emri im. Nuk kam qenë i hetuar për korrupsion, hetimet kanë qenë për një kallëzim penal të dorëzuar nga PDK-ja. Pas hetimeve, është mbyllë dosja dhe është thënë që nuk ka pasë shkelje të ligjit.”, është shprehur ai.

Opozita e befasuar me qasjen e qeverisë ndaj raportit

Subjektet opozitare janë shprehur të befasuara me qasjen e pushtetit ndaj raportit të DASh-it.

Ata kanë bërë me dije se qasja e Qeveris ndaj këtij raporti është joserioze.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, akuzat e ministrit Murati ndaj autorëve të raportit i ka quajtur joserioze.

Dhe e dëgjuan ministrin, për mua joserioz në deklarime, kur thotë që zyrtarët që kanë hartuar këtë raport kanë rënë në lajthitje nga deputetët, nga mediat e kështu me radhë. Pra, një deklaratë joserioze për një raport që thotë se ka korrupsion serioz qeveritar. Dhe ku e ka bazën ky raport? Bazën e ka të qasja që ka pasur qeveria dhe lëvizja që po e udhëheq këtë vend në raport me aferat korrupsionit që kemi qenë dëshmitar të gjithë”, ka thënë Qalaj.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka vlerësuar se raporti në fjalë evidenton paaftësinë e Qeverisë Kurti.

Raporti rrënoi një propagandë të shumicës se e kemi luftuar korrupsionin. Në fakt ju po luftoni ata që po luftojnë korrupsionin. Tani me vulën e SHBA-së jeni hajna të certifikuar… Raporti tregon 4 gjetje kryesore. Korrupsion serioz qeveritar, probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze me lirinë e shprehjes, hapa jokonsistent për t’i hetuar, ndjekur dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut. Raporti në fjalë i dha vulë edhe paaftësisë së qeverisë për ta luftuar korrupsionin”, ka theksuar Zemaj.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga qeveria që raporti i DASh-it të trajtohet me seriozitet.

Ajo që kërkoj për këtë raport, është që të debatojmë me shqetësim për një gjetje që j aka japë një shije të idhtë e një shenjë të zezë Kosovës duke ia dhënë katër etiketa që kjo qeveri duhet t’i argumentojë që është ndryshe, dhe ne të kojmë llogari nga kjo qeveri që edhe këtë raport e trajton me arbitralitet. Nuk jemi na qishtu, as opozita, as shoqëria civile, me mujt me ndiku te DASh-i”, është shprehur Tahiri.

Tahiri: Raporti i DASh-it tregon për nivelin e lartë të korrupsionit

Raporti i Departamentit të Shtetit është publikua javën e kaluar.

Në raport evidentohet disa afera korruptive të Qeverisë Kurti për të cilat vitin e kalua është raportuar gjerësisht.

Aty flitet për korrupsion serioz qeveritar.

Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për: probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve; korrupsion serioz qeveritar…”, thuhet në raportin e DASh-it.

Të gjeturat e këtij raporti e kanë çuditur edhe kryeministrin Albin Kurti.

Në një intervistë për DW, shefi i qeverisë ka thënë se në atë dokument është dashur të citohet disa raporte tjera.

Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull Freedom House, nuk citohet Transparency International, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova”, ishte shprehur Kurti.

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024