Lajme
Rrëfimet e punëtorëve të dorëhequr nga institucionet e Kosovës: ​“Nëse s’nënshkruan, të djegin makinën”
Demokracia
14:43 | 08 Nëntor 2022

Share:

Një punonjëse e Gjykatës Themelore në Mitrovicë thotë se është detyruar të japë dorëheqje pas 20 vitesh shërbimi, pasi më 5 nëntor, në një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, është vendosur që pjesëtarët e komunitetit serb të dorëhiqen në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

Si shkak është theksuar “shkelja e të drejtave të serbëve” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjegjësisht është kërkuar që të anulohet vendimi për riregjistrimin e automjeteve me targat e lëshuara nga Serbia dhe që kanë akronimet e qyteteve në Kosovë, si dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Askush nuk ka asnjë plan se si të rregullohet kjo. Vetëm thanë ‘ejani nënshkruani dorëheqjet’, të cilat ne u desh t’i firmosnim. Pavarësisht se ata thonë se kjo ka qenë vullnetarisht, nuk ka qenë fare vullnetarisht”, dëshmon punonjësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.

Identiteti i saj është i njohur për REL.

“Mezi presim të kthehemi”

Një punëtore tjetër në një institucion të Kosovës në veri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë deklaron se nuk e ka braktisur me vullnet vendin e punës. Identiteti i saj është i njohur për REL-in, por nuk bëhet i ditur, sepse edhe ajo ka insistuar të mbetet anonim.

Ajo thotë se “të gjithë i luten Zotit që situata të rregullohet dhe të kthehen në punë”.

“A thua a ka njeri që mendon ndryshe”, pyeti ajo.

Të njëjtën gjë dëshmon edhe një punonjës i njërës prej komunave veriore. Ai thekson se nuk guxojnë të flasin publikisht për “padrejtësinë” që u është bërë.

“Për këtë vetëm pëshpëritet. Në kafene pëshpëritet për këtë dhe nuk mund të flasësh diku publikisht për këtë gjë… vetëm me dikë që e njeh dhe që sigurohesh që askush mos të të shohë”, thotë ai.

Krahas punonjësve të Gjyqësorit, dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, punëtorë komunalë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

‘Ndarja emocionale’

Juristi Marko Jakshiq, i cili deri më 7 nëntor ishte punonjës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i tha Radios Evropa e Lirë se dorëheqja nga puna ishte shumë emocionale dhe se të gjithë në atë institucion gjyqësor kanë bashkëpunuar, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Së bashku e ndërtuam atë gjykatë për të mirën e të gjithë qytetarëve të këtij rajoni, shqiptarëve, serbëve, por edhe të gjithë të tjerëve”, tha ai dhe shtoi se “vendimet e gabuara” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “sollën deri aty që njerëzit të qajnë me lot si shiu, pa marrë parasysh se cilës përkatësi etnike i takojnë”.

Ai theksoi se punonjësit e gjykatës do të mbeten miq mes vete, pavarësisht situatës politike.

“Ata nuk janë grindur me njëri-tjetrin, por janë ata që ishin të premten – kolegë dhe miq. Të tillë do të mbeten”, tha Jakshiq dhe shtoi se beson që nuk do të mbeten pa të ardhura.

Nga paga prej 500 eurosh në 160 euro ndihma nga Beogradi

Të gjithë bashkëbiseduesit e REL-it janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre, pasi nuk e dinë se si do të mbijetojnë pa paga, Ata theksojnë se të gjithë kanë kredi që nuk dinë si t’i kthejnë.

Punonjësi i komunës thotë se edhe gruaja e tij ka punuar në një nga institucionet e Kosovës, kështu që ata dhe dy fëmijët e tyre të mitur kanë mbetur pa të ardhura.

“Ajo që ndodh është se ne që nuk duam t’i braktisim ato institucione (të Kosovës), do të jemi një lloj tradhtarësh. Kjo është turp”, thotë bashkëbiseduesi, i cili gjithashtu këmbëngul të mbetet anonim.

Të ngjashme