Lajme
Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, pa arsye dhe çmim të qartë
Demokracia
11:41 | 06 Janar 2024

Share:

Trembëdhjetë vjet pasi kaloi në një ushtri profesionale dhe bëri shërbimin e detyrueshëm ushtarak ad acta, në Serbi nisi një nismë për ta rikthyer atë.

Iniciativa është nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe propozimi i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar.

Në shpjegimin e saj, Ushtria serbe deklaroi se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të hollësishëm të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.

Detajet e këtyre sfidave nuk janë specifikuar.

Gjithashtu, u bë e ditur se propozimi vjen me qëllim të “ngritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Serbe, përmes rinovimit dhe përmirësimit të mbushjes dhe stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”.

Një ditë më pas, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, në një deklaratë për TV Pink shpjegoi se kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak “nuk është thirrje për ndonjë konflikt apo përgatitje për luftëra, por për mbrojtjen e shtetit”.

Për Sindikatën Ushtarake të Serbisë, kjo është një “lëvizje politike”, për të cilën nuk ka asnjë shpjegim të vlefshëm, sepse opinionit nuk i është dhënë përgjigje në pyetjen kyçe: si dhe ku do të zbatohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

“Ata thanë se duhet të jetë deri në katër muaj, por ne nuk e dimë nëse këta njerëz do të shërbejnë në njësitë e ushtrisë apo do të shkojnë në qendra stërvitore, siç është tani me të rinjtë dhe të rejat që shërbejnë vullnetarisht”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Novica Antiq, kryetar i Sindikatës Ushtarake të Serbisë.

Shtrohet pyetja se sa do t’u kushtonte qytetarëve të Serbisë shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe nëse ka kapacitete të mjaftueshme për të.

Dalja e personelit nga ushtria, një problem i përhershëm

Novica Antiq tregon se ka problem me plotësimin e njësive në ushtri. Sipas tij, vlerësimet janë se ushtrisë i mungojnë 10 mijë rekrutë në vit.

“Ne si sindikatë e kemi theksuar vazhdimisht këtë, para së gjithash për shkak të gjendjes së keqe materiale dhe sociale të punëtorëve, të ardhurave dhe kushteve të këqija të punës dhe fakti është se ky problem ekziston”, thotë Antiq.

Megjithatë, zgjidhjen për këtë ai nuk e sheh në rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Nëse do të përmirësohej pozita e ushtrisë, do të bëhej më popullor rekrutimi, në mënyrë që njësitet tona të plotësoheshin, në atë rast nuk do të kishim nevojë të rivendosim shërbimin ushtarak në këtë mënyrë”, shprehet Antiq.

Ai thekson se është e çuditshme që nisma vjen në një kohë kur Qeveria është në mandat teknik dhe Parlamenti është shpërbërë, dhe se para futjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të duhej të ndryshoheshin një sërë ligjesh.

“Mendoj se është vetëm një çështje e politikës dhe mbledhjes së pikëve të lira politike, apo ndoshta edhe largimit të vëmendjes nga ndonjë temë e rëndësishme që po e rëndon vendin tonë për momentin”, thekson Antiq.

Nuk ka të dhëna zyrtare se sa ushtarë aktivë ka Ushtria e Serbisë.

Sipas vlerësimeve jozyrtare, ky numër varion nga 22 deri në 25 mijë.

Çfarë thonë qytetarët?

Gjorgje Zllatkoviq, student i mjekësisë në Kragujevc, thotë për Radion Evropa e Lirë se është kundër vendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Kush dëshiron të shkojë vullnetarisht, le të shkojë”, thotë Zllatkoviq. Megjithatë, ai beson se vendosja e detyrimit për të shërbyer në ushtri nuk do të ndodhë.

“Mendoj se kjo thjesht po e largon vëmendjen e publikut nga temat më të rëndësishme”, thotë Zllatkoviq.

Kundër kësaj ideje është edhe bashkëqytetari i tij, student në Fakultetin Ekonomik në Kragujevc, Stefan Ardalliq.

“Jam tronditur sepse mendoj se është krejtësisht e panevojshme për momentin. Pse po investohen mjetet në ushtri, e jo në arsim, shkolla, shëndetësi?”, thotë Ardalliq për Radion Evropa e Lirë.

Zvonko Crniq, 21 vjeç, i cili është i punësuar, gjithashtu nuk beson se vërtet do të futet shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

“Nuk mendoj se është as fitimprurëse, sepse ne mund të shohim që kazermat në Serbi janë në gjendje shumë të keqe dhe pagat e ushtarëve janë të dëshpëruese, kështu që ushtria nuk është tërheqëse për të rinjtë sot”, shprehet ai.

Kjo nuk është hera e parë që Qeveria në Serbi ngre çështjen e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për këtë çështje në vitin 2022 dhe më herët më 2018.

Presidenca serbe nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse presidenti Aleksandar Vuçiq do ta miratojë iniciativën e Shtabit të Përgjithshëm.

Nëse ai do ta miratonte atë, vendimi do të duhej të konfirmohej nga deputetët në Parlament, siç ishte rasti kur u hoq shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Sa do të kushtonte?

Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, dhe që atëherë vetëm ata që duan të shkojnë në ushtri, shkojnë.

Nuk dihet për momentin se sa do të kushtonte rikthimi i tij.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje të dërguar nga REL-i dhe nëse kjo kosto ishte paraparë në buxhetin për vitin 2024.

Në vitet e mëparshme, përfaqësues të Qeverisë serbe dolën me vlerësime të ndryshme të kostos nëse do të rikthehej shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Në vitin 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli me një vlerësim se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të kushtonte nga 90 deri në 130 milionë euro në vit, varësisht nëse trajnimet do të zgjasnin tre apo gjashtë muaj.

Kjo shifër paraqet një të dhjetën e vlerës së buxhetit të përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë serbe për vitin 2024, që arrin vlerën prej 1.3 miliard euro.

Sipas analizave të Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2016, që u paraqitën në Parlament nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Zoran Gjorgjeviq, kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të kushtonte rreth 600 milionë euro, që do të përfaqësonte 40 për qind të buxhetit të përgjithshëm të planifikuar të mbrojtjes për vitin 2024.

Pak vende në Evropë kanë shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Në rast se Qeveria aktuale serbe vendos të kthejë shërbimin ushtarak në kuadrin e rregullt, Serbia do të jetë ndër vendet e pakta në Evropë, si Suedia, Lituania apo Gjeorgjia, të cilat e hoqën këtë detyrim dhe më pas e rikthyen atë.

Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qiproja.

Çfarë mesazhi po dërgohet?

Ish-diplomati Nikolla Lluniq, nga Këshilli joqeveritar i Beogradit për Politika Strategjike, nuk është i befasuar nga iniciativa e Shtabit të Përgjithshëm, sepse, siç thotë ai, kjo “përsëritet në mënyrë periodike”.

“Por, si rregull, pa shpjegim të detajuar, analizë dhe pasoja”, vlerëson Lluniq për REL-in.

Ai shton se iniciativa “vetëm tregon se Forcat e Armatosura të Serbisë po përballen me probleme të akumuluara të plotësimit të njësive, që më tej nënkupton se menaxhmenti aktual nuk është në gjendje t’i zgjidhë ato”.

“Shërbimi i përgjithshëm ushtarak është një gjë e së kaluarës dhe vetëm një ushtar profesionist mund t’i përgjigjet në mënyrë efektive kërcënimeve moderne të sigurisë. Konfliktet aktuale kanë treguar se sistemet moderne luftarake kanë vendosur rreziqe teknologjikisht të sofistikuara, të cilave rekrutët nuk janë në gjendje t’u përgjigjen”, shpjegon Lluniq.

I pyetur nëse kjo mënyrë dërgon një mesazh politik dhe kujt, si dhe nëse do të nxiste tensione në rajon, Lluniq thotë se rritja e aftësive ushtarake të Serbisë përmes një kontigjenti më të madh rekrutimi “pa dyshim do të shkaktojë vëmendje në rajon dhe në Evropë , dhe ndoshta një reagim në një përgjigje të ngjashme”.

“Tensionet në një rajon me një histori të papërfunduar janë gjithmonë problematike dhe kjo lëvizje do të minonte më tej potencialin për besim”, thekson ai.

Serbia është ushtarakisht neutrale, bashkëpunon si me NATO-n ashtu edhe me Rusinë

Serbia e deklaron veten si ushtarakisht neutrale dhe neutraliteti ushtarak është përfshirë në Strategjinë e Mbrojtjes dhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të cilat janë miratuar nga Parlamenti në vitin 2019.

Në deklaratat e tyre, zyrtarët serbë theksojnë se Serbia nuk ka dhe nuk do të ketë synim të anëtarësohet në NATO, me të cilën bashkëpunon që nga viti 2006 përmes Programit për Partneritetin për Paqe.

Serbia është një vend i rrallë në Ballkanin Perëndimor që nuk dëshiron t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s.

Pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni se si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të harmonizojë politikën e jashtme dhe të sigurisë me atë evropiane, Beogradi zyrtar ka zhvilluar bashkëpunim ushtarako-teknik me Moskën.

Zyrtarët në Serbi nuk e ndalën këtë bashkëpunim edhe pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL/

Të ngjashme