Lajme
Rezultati katastrofal i Albin Kurtit: Nga ‘Vetëvendosje e bashkim kombëtar për shqiptarët’, në ‘Vetëmenaxhim për serbët’
Demokracia
09:14 | 05 Nëntor 2023

Share:

“Vetëvendosje” e “bashkim kombëtar” janë fjalët më të përsëritura nga Albin Kurti, i cili edhe subjektin e tij politik e kishte emërtuar me këtë emër në qershorin e vitit 2005.

Përmes realizimit të parimit të ‘vetëvendosjes’, Kurti dhe subjeti i tij politik kundërshtonin negociatat që Kosova sapo kishte filluar me bashkësinë ndërkombëtare për përcaktimin e statusit final politik të saj, shkruan Demokracia.com.

Sipas Kurtit, këto negociata nuk duhej të zhvilloheshin. Perspektiva se çka duhej të bënte Kosova, ishte e qartë për Albin Kurtin: T’i mundësohej vetëvendosja, pra që populli i Kosovës të vendoste për fatin e vet politik përmes referendumit. E kjo, sipas tij, do të çonte në bashkim kombëtar të Kosovës me Shqipërinë.

Askush nga vendimmarrësit nuk e dëgjoi Kurtin dhe Vetëvendosjen. Negociatat u zhvilluan dhe rezultati final i tyre ishte: Kosova shtet i pavarur, i shpallur më 17 shkurt 2008. Por, edhe tri ditë para shpalljes së pavarësisë, Kurti propagadonte se Kosova nuk po shpallte pavarësinë dhe vazhdonte të kërkonte referendum.

Video 14 shkurt 2008 | Albin Kurti duke propaganduar se Kosova nuk po shpallë pavarësinë, kërkonte referendum

Edhe pse Kosova shpalli pavarësinë e saj, Kurti vazhdoi të ngulmonte në idenë e tij për vetëvendosje dhe bashkimin kombëtar me Shqipërinë.

“E drejta e Vetëvendosjes së popullit është e lidhur me sovranitetin e shtetit. Kosova aktualisht është shpallur e pavarur, por as populli i Kosovës nuk e ka të drejtën për Vetëvendosje e as shteti i pavarur i Kosovës nuk është sovran. Ne duam që populli i Kosovës të vendosë për fatin e tij. Duam që Kosova të jetë sovrane, pra me ushtri e me të drejtë për t`iu bashkuar Shqipërisë, sepse vetëm kësisoji do të bëhemi të barabartë me kombet e me shtetet e tjera të zhvilluara demokratike e përparimtare në botë”, ishte një nga deklaratat e Kurtit që arsyetonte qëndrimin e tij, që mbeti i tillë vetëm derisa erdhi në pushtet.

Sipas tij, edhe Kushtetuta e Kosovës, që pamundëson bashkimin me ndonjë shtet tjetër, do të ndryshohej me ardhjen e tij dhe të Vetëvendosjes në pushtet.

Fati politik i Kurtit ishte shkruar i tillë, që ai të vinte në pushtet. Por, me realizimin e qëllimit të tij, ëndrra për ndryshim të Kushtetutës dhe bashkimin kombëtar u shua.

“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie. Neni 1.1 thotë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime, siç është ai evropian. Në Kosovë nuk kemi ligj për referendum dhe nuk e ndryshojmë Kushtetutën, por padyshim se kjo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”, ka thënë Kurti në një rast kur është pyetur se çka do t’i bësh premtimit të madh për bashkim kombëtar.

Albin Kurti për 15 vjet premtoi bashkimin kombëtar, por hoqi dorë prej tij për xhipat e zinj

Deklarata e Kurtit që heq dorë nga organizimi i referendumit për bashkim kombëtar

Pas heqjes dorë në mënyrë publike nga premtimi i tij për idealin e madh të shqiptarëve, për realizimin e bashkimit kombëtar, Kurti është përqëndruar maksimalisht në një drejtim tjetër – dialogun me Serbinë.

Rezultatet e fundit nga ky dialog janë katastrofale për një kryeministër si Kurti që erdhi në pushtet me premtime të mëdha, për ‘vetëvendosje për Kosovën’ e ‘bashkim kombëtar me Shqipërinë’. Ai përfundoi në ‘vetëmenaxhim për serbët në Kosovë e Zajednicë’.

Me arritjen e Marrëveshjes Bazë Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksi/Shtojca e saj [Ohër, 18 mars 2023], Kurti është akuzuar se përveç që ka pranuar themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai ka siguruar autonomi për serbët në Kosovë.

Neni 7 i marrëveshjes së fundshkurtit të vitit 2023, obligon Kosovën “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmeaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe që të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. /Demokracia.com/

Si e zbuloi rastësisht Albin Kurti se rezultat i dialogut të tij është Neni 7 për Vetëmenaxhimin e serbëve dhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe?

Të ngjashme