Lajme
Albin Kurti për 15 vjet premtoi bashkimin kombëtar, por hoqi dorë prej tij për xhipat e zinj
Demokracia
09:44 | 28 Nëntor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dëshirë të pyetet për bashkimin kombëtar. Sot, kjo është një pyetje që ai nuk dëshiron t’ i parashtrohet kurrë.

Me shumë gjasë nëse një gazetar do t’ia bënte këtë pyetje, ai do t’i ikën e të futet në xhipin zi, shkruan Demokracia.com.

Impresionimi i Albin Kurtit me botën e xhipave me xhama të zinj, ia ka nxjerrë shpejt në shesh mashtrimin e tij të madh: premtimin për bashkimin kombëtar.

Për 15 vjet, Albin Kurti e ka parë si të domosdoshëm bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe jo vetëm. Çdo pengesë e madhe që përmendej, si ajo që bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet pa mbështetjen dhe pajtimin ndërkombëtar, për Albin Kurtin ishte vetëm një arsyetim i radhës “i një klase politike të korruptuar dhe e pazonja për të bashkuar kombin”.

Por, “ideali i madh i Albin Kurtit”, që nuk paska qenë kurrë i vërtetë, u shua sapo ai shkeli në xhipin me xhama të zinj.

Larg rrugëve e shesheve të Prishtinës ku vlonte dhuna e ushtruar dhe nxitur prej tij, larg flakëve e gazit lotësjellës, Albin Kurti, shpejt filloi të kënaqej me lodrën e tij të re: xhipin e zi.
Nga xhipi me xhama të errësuar ai filloi të harrojë projektin e domosdoshëm “bashkimin kombëtar të shqiptarëve”. Nga aty, Albin Kurti filloi të mos shoh jashtë për urgjencën e kombit: bashkimin e tij. Papritur, Albin Kurtit, filloi t’i errësohet pamja e jashtme dhe të shoh vetëm rehatinë që ia ofron xhipi me xhama të zinj që lëvizë rrugëve të Kosovës pa shpenzime nga xhepi i tij.

Në këtë rehati, Albin Kurti gjeti edhe arsyetimin për t’i ikur punës për idealin e madh. Ai filloi ta lexonte me zë të lartë nenin 1.3 të Kushtetutës së Kosovës, që dikur premtonte, me zë po aq të lartë, se do ta ndryshonte kur të vinte në pushtet.

“Fatkeqësisht kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie. Neni 1.1 thotë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime siç është ai Evropian. Në Kosovë nuk kemi ligj për referendum dhe nuk e ndryshojmë Kushtetutën, por pa dyshim se kjo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”, ka thënë Kurti në një rast kur është pyetur se çka do t’i bësh premtimit të madh për bashkim kombëtar.

E kështu, ditë pas dite, sa më shumë që Kurti futej në botën e xhipave me xhama të zinj, që dikur i shihte si simbolika të klasave të korruptuara politike, ai bëhet më i bindshëm se si e përdori për të mashtruar temën e madhe të bashkimit kombëtar.

Sot, nuk ka asnjë raport mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe bashkimit kombëtar.

Sot, Albin Kurti, që kërkonte e premtonte bashkim kombëtar, ka hequr dorë dhe po shpreson se dikush tjetër do ta bëjë të mundur që të vijë puna e një referendumi për bashkim.

“Në të ardhmen nëse do të prezentohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prap, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti në nëntor të vitit 2021.

Nuk duhet të çuditemi sepse është përgjigje tipike e Albin Kurtit: Ai është mësuar që të tjerët t’i bëjnë veprat e mëdha dhe të protestojë kundër tyre./ Demokracia.com/

Të ngjashme