Lajme
Rezoluta e re në KiE: Kosova s’po e ndihmon Shqipërinë për t’i rrëzuar “akuzat e Martyt”
Demokracia
16:56 | 09 Maj 2023

Share:

Shqipëria po e bën e vetme përpjekjen për të nxjerr një rezolutë të re në Këshill të Evropës për ta shfuqizuar rezolutën e vitit 2011, e cila e akuzon Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore.

Në këtë rrugëtim, Kosova nuk po e mbështet aspak Shqipërinë.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se diplomacia e Kosovës është dashur ta ketë prioritet lobimin për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë përpjekje.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për gaten Nacionale se Kosova nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta ndihmuar Shqipërinë në rrëzimin e pretendimeve të senatorit zviceran.

“Sa i përket diplomacisë kosovare ka pasur hezitime dhe nuk ka pasur të paktën lëvizje në aspektin praktikë. Ne do të duhej që nga dita e parë të lobonim në Shqipëri dhe në të gjitha vendet që kjo çështje të paketën të futet në agjendë apo të diskutohej një gjë e tillë, por ja që diplomacia kosovare nuk e sheh këtë si prioritet. Kjo do të duhej të ishte një prioritet sikurse anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, ku e kemi kaluar fazën e parë”, ka thënë Arifi.

Madje, sipas tij, rrëzimi i pretendimeve të senatorit Marty do ta ndihmonte anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Kjo do ta ndihmonte ndoshta edhe më mirë Kosovën që ta kalon edhe fazën e dytë. Sepse do të vërehej gabimit historik që e ka bërë Këshilli i Evropës, duke votuar një rezolutë të tillë të sponzorizuar nga qarqe të dyshimta, të cilat e kanë dëmtuar jo vetëm drejtësinë kosovare dhe luftën e Kosovës, por në njëfarë mënyrë e kanë dëmtuar edhe vetë angazhimin e botës perëndimore rreth lutës së Kosovës”, ka thënë Arifi.

Kurse, politologu Avdi Smajlja ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova dhe Shqipëria për këtë çështje do të duhej ta kishin një strategji të përbashkët.

“Diplomacia kosovare se bashku me atë të Shqipërisë do të duhej te dilnin me një strategji të qarte si ti bëjnë ballë fushatës së egër të Serbisë duke e përdorur rezolutën e vitit 2011 dhe themelimin e gjykatës si instrument kundër themeleve mbi të cilat është ngritur shteti i Kosovës”, ka thënë ai.

As deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e cila është anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme, nuk ka ndonjë informacion nëse diplomacia kosovare po bën dacka në këtë drejtim.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo është shprehur optimiste se rezultatet e iniciativës së Shqipërisë do të jenë pozitive.

“Delegacioni i Shqipërisë në PACE e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në këtë institucion. Është zëri ynë aty ku ne nuk kemi zë dhe fuqi. Prandaj, si mbështetës të pashoq të Republikës së Kosovës jam e bindur që në çdo iniciativë që është në të mirën e Kosovës do të ia dalin. Ne si delegacion nuk kemi të drejtë vote dhe nuk kemi asnjë fuqi për të shtyrë përpara asnjë iniciativë përfshirë rezolutën në fjalë”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Efektet e një rezolute të re
Njohësit e proceseve politike kanë bërë me dije se nxjerrja e një rezolute të re në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të kishte disa efekte për Kosovën.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka treguar se një dokument i tillë do t`i zhvleftësonte pretendimit e senatorit Marty.

“Mbledhja e nënshkrimeve për një rezolutë, e cila do ta devalvonte ose do ta pezullonte të paktën paragrafin ku flitet për trafikimin e organeve, mund të ndodh. Kjo varet nga vullneti politik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Nëse do të pezullohej ai paragraf, apo e terë rezoluta kjo mbetet të shihet, por nëse ndodh një gjë e tillë kjo do të ishte një fitore e madhe e demokracitë perëndimore, pra një fitore e se vërtetës dhe normalisht do të ishte një fitore e madhe edhe për të vërteten e Kosovës, për luftën e Kosovës dhe do ti pastronte të gjitha ato dyshimet që janë ngritur kur është votuar për këtë raport”, është shprehur ai.

Kurse, politologu Avdi Smajljaj ka vlerësuar se të dy shtete do të duhej të ishin më aktive me diplomacitë e tyre.

“Një rezolutë e tillë është e domosdoshme, por jo edhe e mjaftueshme (në kuptimin e asaj që duhet bërë edhe më shumë edhe Shqipëria edhe Kosova) për t`i bërë ballë fushatës së Serbisë, e cila po përdorë produktin e rezolutës së vitit 2011, nga e cila pastaj u inicua edhe formimi i gjykatës speciale, pretendimet e së cilës u hodhën poshtë nga vetë prokuroria e kësaj gjykate”, është shprehu Smajljaj.

Shqipëria ka mbledhur nënshkrimet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në muajin mars, ka bërë me dije se Shqipëria i ka mbledhur nënshkrimet në Asamblenë e Këshillit të Evropës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011.

Ai ishte shprehur i bindur se ajo rezolutë është fyerje për Kosovën dhe luftën e saj të drejtë për liri.

“I mblodhëm më në fund firmat në Asamblenë e Këshillit të Evropës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore Shqipëri-Kosovë. Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare”, kishte shkruar Rama në llogarinë e tij në “Facebook”.

Një vit me parë, Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar një rezolutë, e cila pretendimet e senatorit Marty i konsideronte të pabaza.

Kjo rezolutë kërkonte që Asamble Parlamentare e Këshilli i Evropës të rishikojë dokumentin e miratuar në vitin 2011.

Rezoluta e KiE-së ishte përdorur si bazë për ngritjen e Gjykatës Speciale, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.

Të ngjashme