Lajme
Reagime të ashpra të ndërkombëtarëve për rastin Klan Kosova, nuk i besojnë Qeverisë
Demokracia
19:54 | 01 Korrik 2023

Share:

Më 14 qershor, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), njoftoi mediat se kishte marrë vendim që t’ia pezullonte certifikatën e biznesit kompanisë Klan Kosova sh.p.k.

Por, vendimi hasi në reagime të ashpra – duke u nisur nga kori diplomatik në vend, organizata vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, mediat vendore e qytetarët, raporton Klankosova.tv.

Të gjithë u shprehën të shqetësuar me vendimin e MINT-it.

Reagimet nuk u ndalën as më shumë se dy javë pas këtij vendimi, të cilin ndërkombëtarët po e quajnë të dyshimtë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke iu referuar rastit të televizionit Klan Kosova, në emisionin Rubikon me Adriatik Kelmendin të enjten që lamë pas, tha se i merr seriozisht të gjitha tendencat për ta kufizuar rolin e medias.

Ai ka theksuar se çfarëdo përpjekje për të ndikuar në operimin, regjistrimin e biznesit, transmetimin e medias së pavarur kërkon shqyrtime shumë të kujdesshme dhe të detajuara dhe këto veprime nuk duhet të merren me lehtësi, apo pa pasur arsye shumë të rëndësishme.

“Kjo është një çështje e rëndësishme dhe ambasada amerikane ka folur për këtë çështje. E di për ShBA-në, duke marrë parasysh historinë tonë për një minutë, pyetja e medias së lirë dhe të pakufizuar është shumë e rëndësishme. Në vitin 1787, do të kthehem pak në histori, kur kushtetuta jonë diskutohej dhe iu dërgua shteteve për ratifikim, u bë e qartë se kishte shqetësime se nuk u ishte kushtuar mjaftueshëm vëmendje disa të drejtave specifike, një nga të cilat ishte liria e medias, dhe ishte kusht i disa shteteve për ta ratifikuar kushtetutën, atyre iu desh t’i kalojnë disa amendamente, të quajtur Ligji i të Drejtave, që përfshinin lirinë e medias”, ka thënë Hovenier.

Tutje, ai ka thënë se liria e medias është pjesë e idealeve themeltare të ShBA-së si Shtete të Bashkuara të Amerikës.

“Thomas Jefferson, sekretari ynë i parë i shtetit, presidenti i tretë, hartues i deklaratës së pavarësisë, 247-vjetorin e të cilit e festojnë gjatë javës së ardhshme, iu referua mediave si pushteti i katërt dhe çka nënkuptonte me këtë është se ne kemi degën ekzekutive, degën legjislative, degën gjyqësore dhe pastaj mediat dhe roli që mediat duhet të luajnë është të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie”, ka shtuar ambasadori amerikan.

“Pra i marrim seriozisht të gjitha tendencat për ta kufizuar rolin e medias dhe ofrimin e atij shërbimi ndaj shoqërisë për transparencë dhe llogaridhënie. Pra jemi duke e parë këtë nga afër. Besojmë se çfarëdo përpjekje për të ndikuar në operimin, regjistrimin e biznesit, transmetimin e medias së pavarur kërkon shqyrtime shumë të kujdesshme dhe të detajuara dhe këto veprime nuk duhet të merren me lehtësi, apo pa pasur arsye shumë të rëndësishme”, ka theksuar Hovenier.

I pyetur rreth asaj se a beson se do të ketë mundësi ta zhvillojë një intervistë tjetër në studiot e Klan Kosovës në të ardhmen e afërt, ai është përgjigjur pozitivisht.

“Unë jam mjaft i sigurt se unë dhe ti do ta kemi mundësinë të bëjmë intervista të tjera në të ardhmen, po”, është përgjigjur ai.

E një ditë më pas, me Klan Kosovën u mor sërish edhe kolegu i tij nga Gjermania, ambasadori Jorn Rohde.

Ai i ka quajtur masat e qeverisë si “të dyshimta”, ndërsa ka thënë se duhet të ketë diskutime për këto çështje.

“Faleminderit Tomas që u bashkove me GIZ-in dhe me ne në diskutimin e sfidave për lirimin e mediave në Ballkanin Perëndimor/Kosovë. Rritja e numrit të sulmeve ndaj gazetarëve, ngacmimi online kundër aktivistëve të mediave, masat e dyshimta kundër Klan Kosovës tregojnë se këto diskutime janë të nevojshme”, ka shkruar të premten Rohde në Twitter.

Pezullimi i pezullimit të pezullimit

Pas vendimit të parë të MINT-it, kompania Klan Kosova sh.p.k u kujdes që të plotësonte dokumentacionin e duhur në mënyrë që të mbyllej kjo çështje.

Dhe kjo u konfirmua më 21 qershor kur u.d. e drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi, kishte nënshkruar vendimin e ri për anulim të vendimit të parë për pezullim të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Por, pa kaluar 24 orë nga ky vendim i zonjës Prestreshi, nga MINT-i erdhi njoftimi i ri, i cili u quajt skandaloz nga shumekush, e që thoshte se është anuluar vendimi i një dite më parë i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

E qeveria nuk u mjaftua me anulimin e këtij vendimi, pasi zonjën Prestreshi e shkarkoi nga detyra për shkak se, siç u tha, e njëjta është zënë nën “rrethana të konfliktit të interesit” meqë një avokat që punon në Klan Kosova është “familjar i saj”, pretendim i cili nuk qëndron.

Zonja Prestreshi, sipas raportimeve të mediave, u zëvendësua nga znj. Lebibe Haliti, e cila u raportua se është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.

E Klan Kosova, po atë ditë, doli me një reagim për vendimin e ri të qeverisë.

“Klan Kosova vazhdon të besojë se veprimet e ditëve të fundit, si dhe ky i sotmi, janë tendencë e qartë për të pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë. Klan Kosova, si dhe deri më tash, edhe për këtë hap do t’i njoftojë të gjitha organizatat dhe institucionet e medias dhe gazetarëve në vend dhe në botë, përfaqësitë diplomatike dhe misionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë”, thoshte Klan Kosova më 22 qershor.

Reagimet e ditëve të para të vendimit të qeverisë për Klan Kosovën

Në ditët e para të reagimeve ndaj vendimit të MINT-it, Ambasada Amerikane në Prishtinë kishte thënë se po e përcjell nga afër çështjen e pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Po ashtu, edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, përmes ambasadori Rohde, pati thënë se pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës është krejt i papritur.

Të shqetësuar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova, kanë reaguar edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Pas reagimit të ambasadës amerikane, asaj gjermane, por edhe të zyrës së BE-së në Kosovë nga misionet diplomatike, reagim pati ardhur edhe nga ambasada britanike. Ambasadori Nicholas Abbot pati kërkuar nga institucionet që të mendojnë me shumë kujdes masat e mëtejme ndaj këtij rasti.

“Vendimet nuk duhet të kërcënojnë lirinë e medias dhe informimit”, thuhej në reagimin e ambasadës italiane në Kosovë, e cila tutje pati thënë se së bashku me Bashkimin Evropian dhe me partnerët tjerë në Kosovë, po e monitorojnë nga afër rastin.

Duke e ripostuar reagimin e Bashkimit Evropian, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka përcjell shqetësimin e njëjtë për situatën e krijuar nga vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Reagim pati edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, por edhe homologia e saj kosovare. Sipas Odës Ekonomike Amerikane, ky vendim jo vetëm që shkel dispozitat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare por dërgon një mesazh shqetësues për komunitetin e biznesit dhe investitorët potencialë.

Ndërsa, Oda Ekonomike e Kosovës përmes një komunikate, ka thënë se ky vendim nuk është në përputhje me procedurën administrative gjegjëse, prandaj kanë kërkuar që vendimi të rishikohet.

Qendra Evropiane për Liri të Shtypit, bashkë me tri organizata tjera për lirinë e medias, International Press Institute, International Federation of Journalists dhe European Federation of Journalists, kanë reaguar në lidhje me situatën e krijuar pas vendimit të MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Ndër të tjera, ata nënvizojnë se ky vendim dëmton progresin e Kosovës në lirinë e mediave.

Kanë reaguar edhe rrjeti “SafeJournalists”, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor.

Reporterët pa Kufij janë shprehur thellësisht të shqetësuar me vendimin e MINT-it, të cilin thanë se i njëjti është “i vendosur mbi baza të lëkundura ligjore”.

Listës së reagimeve i ishte shtuar edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila ka bërë të ditur se ka ndjekur nga afër procedurat lidhur me vendimin për tërheqjen e licencës biznesore të Klan Kosovës.

Ndaj këtij veprimi të qeverisë ka pasur reagime të shumta, si nga organizatat ndërkombëtare ashtu edhe ato rajonale e vendore, duke e dënuar dhe cilësuar veprimin si tentim për frikësim të mediave.

Nuk kanë munguar as shkrimet e aktorëve politikë dhe fytyrave publike të cilët janë thirrur në mbrojtje të lirisë së medias.

E edhe mediat vendosën të solidarizohen me situatën e krijuar me Klan Kosovën, duke u mbledhur një sërë sosh e duke e vendosur logon e televizionit të Klanit krahas logove të televizioneve të tyre në emisionet kryesore debatuese.

Po ashtu, mediat dhe gazetarët nisën një fushatë me sloganin “Demokracia vdes në errësirë”, bazuar në moton e “The Washington Post”, për mbrojtjen e punës së tyre dhe lirisë së medias në vend. Krahas këtij sloganit, shënohet edhe #betejaemedias.

Kujtojmë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, më 14 qershor, publikoi një vendim përmes së cilit thuhej se Klan Kosovës i pezullohet certifikata e biznesit ndërsa Komisioni i Pavarur për Mediave (KPM) ka obliguar mediumin që në afat prej 30 ditëve ta plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës.

Të ngjashme