Lajme
Rasti i gazit lotsjellës në Kuvend, deputet i VV kërkon kohë për gjetjen e një avokati
Demokracia
12:51 | 20 Shkurt 2024

Share:

Për shkak se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani ka kërkuar kohë të caktimin e një avokati tjetër, ka dështuar përsëri të mbahet të martën seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

I akuzuari Ramadani tha se të premten është njoftuar nga avokati i tij i mëhershëm (Naser Sopjani) që e ka revokuar autorizimin për ta përfaqësuar në këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë e kom marrë një njoftim prej avokatit të premten, që e ka revoku, unë kisha kërku një avokat, ta gjej një avokat tjetër”, tha Ramadani.

Ramadanit për seancën e sotme i ishte caktuar avokatja Sahadete Gashi, sipas detyrës zyrtare.

“E keni caktu, po unë kom menu që ai vjen (Sopjani), po nuk është që kam mujt me kontaktu shumë ma herët…”, tha ai, duke kërkuar që të shtyhet seanca për të caktuar një tjetër mbrojtës.

Më pas, gjykatësja Anita Krasniqi-Prenaj aprovoi kërkesën e të akuzuarit Ramadani, për shtyrjen e kësaj seance, ashtu që i njëjti të ketë mundësi të angazhojë një mbrojtës të ri.

Gjithashtu, edhe seanca e 22 janarit 2024 kishte dështuar, pasi në atë seancë kishte munguar avokati Naser Sopjani.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkon Ramadanin për dy vepra penale dhe atë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” si dhe për “Pengim të personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Për këtë rast, më 13 korrik 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare në të cilën deputeti Ramadani ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.

Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e 8 shtatorit 2021 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadani, me arsyetimin se pretendimet e të njëjtit janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.

Kundër këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Valon Ramadani, avokati Naser Sopjani.

Ndërsa, Gjykata e Apelit më 8 tetor 2021 kishte nxjerrë aktvendim me të cilin kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Sopjani me ç’rast kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Ramadanit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.

Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së.

Të ngjashme