Lajme
Raporti i shtetit: Vuçiq mund të urdhërojë pushtimin e Kosovës, ky është skenari më i mundshëm
Demokracia
14:22 | 24 Tetor 2023

Share:

Të pakta përshkruhen gjasat në rrethanat aktuale që një luftë tjetër të mund të shmanget, në një raport preliminar të shtetit për ngjarjet e fundit në veri.

Kosova pret që Serbia do ta nisë një luftë. Gazeta Express ka siguruar një raport preliminar rreth 50 faqesh të Ministrisë së Punëve të Jashtme për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku renditen “dëshmi të mbledhura dhe të vlerësuara nga institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës” se Serbia qëndron mbrapa këtij agresioni. Anëtarët e grupit terrorist “i merrnin rrogat e tyre përmes sistemit të paligjshëm të rregullt të pagave të Serbisë në Kosovë”, sipas raportit. Për të dokumentuar financimin nga shtetit serb, përmenden dy kontrata të D.Baloviq dhe A.Tanaskoviq, “që besohet të jenë pjesëmarrës në sulm”.

Në analizën e shtetit përcaktohet skenari më i mundshëm që pritet të ndodhë në vazhdim: parashihet që të ketë edhe sulme të tjera dhe të përgatitet preteksti që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të urdhërojë pushtimin e Kosovës, me qëllimin përfundimtar të një skenari si ai i Donbasit në Ukrainë, përkatësisht aneksimin e së paku veriut të Kosovës.

“Në kombinim me lëvizjet masive të trupave pas sulmit të Serbisë dhe të gjendjes aktuale e gatishmërisë së lartë të ushtrisë serbe, është skenari më i mundshëm që ky sulm do të pasohej nga më shumë dhe do të përgatiste pretekstin që Vuçiq ta pushtonte territorin e Kosovës me qëllimin përfundimtar të një skenari të Donbasit, përkatësisht aneksimin e së paku veriut të Kosovës”, thuhet në raport.

Në këtë raport përfshihen një varg konkluzionesh mbi sulmin e para një muaji. Aty përmenden personat e maskuar që e sulmuan KFOR-in në maj në Zveçan, si autorë të dhunshëm të dërguar nga Serbia dhe që pas sulmit, siç thuhet në raport, s’pati përgjigje të fortë nga KFOR-i, BE-ja apo SHBA-ja. Kjo, sipas analizës që ka bërë shteti, e nxiti Vuçiqin ta marrë një vendim për eskalimin e situatës, duke udhëzuar individë përkatës brenda strukturave të inteligjencës dhe sigurisë së shtetit serb që ta planifikojnë, përgatisin e trajnojnë duke e pajisur mirë një grup paraushtarak për t’u përfshirë në një konflikt të hapur me Kosovën. Në Beograd, siç thuhet në raport, nuk konsiderohej më e besueshme se KFOR-i do t’i mbrojë plotësisht kufijtë e Kosovës.

“Në koordinim të dukshëm dhe me mbështetje ende të paidentifikuar plotësisht nga Rusia, ai udhëzoi individë përkatës brenda strukturave të inteligjencës dhe sigurisë së shtetit serb për të planifikuar, përgatitur, trajnuar, dhe pajisur një grup paraushtarak serb për t’u përfshirë në konflikt të hapur me Kosovën”, thuhet ndër tjerash në konkluzionet e këtij raporti.

Aty thuhet se hapat përshkallëzues të Serbisë mbetën të pandëshkuar nga Perëndimi dhe se si rezultat i kësaj, një përshkallëzim i mbështetur nga Rusia në Ballkan është duke u shpalosur aktivisht “jo vetëm kundër Kosovës, por edhe në vendeve të tjera që i nënshtrohen testimit në terren për vendosmërinë perëndimore në një sfidë gjeopolitike të Putinit në një rajon brenda fushëveprimit të NATO-s dhe BE-së”.

“Moska është padyshim thellësisht e përfshirë në planifikimin dhe udhëzimin e Serbisë për përshkallëzimin, me Vuçiq, Vulin, Daçiq dhe të tjerë që angazhohen në diskutime dhe marrëveshje të fshehta intensive me Moskën”, thotë raporti.

Sipas kësaj analize, “Beogradi dhe Moska janë ende duke llogaritur se Perëndimi nuk do të ketë një përgjigje ndaj një konflikti të kufizuar” dhe se sulmi i 24 shtatorit është përgatitur “si fillimi i një fushate të kufizuar ushtarake që në fund të fundit duhet të çojë në aneksimin e pjesës veriore të Kosovës”, si në rastin e Donbasit. Aty thuhet se Vuçiq dhe Putin po konsiderojnë se “ia vlen të rrezikohet që të vazhdojnë t’i ndjekin qëllimet e tyre”.

“Paralajmërimet e shumta të qeverisë së Kosovës ndaj partnerëve dhe aleatëve janë refuzuar si manovra politike, dhe rreziku u injorua totalisht dhe po injorohet ende nga disa në Perëndim”, thuhet në raport. Sipas pikëpamjes së shtetit të Kosovës, siç thuhet në këtë raport, “mungesa e gatishmërisë perëndimore për të njohur dhe adresuar me vendosmëri boshtin Rusi-Serbi të agresionit vazhdon t’i inkurajojë të dyja, dhe kështu kontribuon në rritjen e rrezikut të luftës në Ballkan”.

Tash, sipas raportit, për ta penguar Serbinë nga një përpjekje tjetër të planifikuar më mirë “për t’i rishkruar faqet e historisë”, dërgimi i paralajmërimeve të qarta, “të mbështetura nga ushtria dhe fuqia e zbatimit të ligjit, është thelbësor.

“BE-ja duhet të kthehet para se të jetë tepër vonë”, thuhet ndër tjerash në këtë raport. Sa më shpejt që Perëndimi të fillojë të dërgojë sinjale të qarta që dekurajojnë përshkallëzimin nga Serbia dhe Rusia, aq më të larta janë shanset që një luftë tjetër të mund të shmanget, sipas raportit.

Të ngjashme