Lajme
Raporti i DASH që mbeti nën hije, klima (jo e mirë) për investime të huaja në Kosovë
Demokracia
14:02 | 30 Korrik 2023

Share:

Në këtë javë politikisht të rrëmujshme në vend ku kryetemat ishin “vaji polak” që s’erdhi kurrë megjithëse paratë u dhanë nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë si dhe vendimi arbitrar dhe brutalisht disproporcional i pushtetit për mbylljen e Klan Kosovës që zgjoi debat të madh e të ashpër në vend dhe jashtë si sulm i rëndë ndaj vetë demokracisë dhe fjalës së lirë, në hije mbeti raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve në Kosovës. Në atë raport u paraqit një tablo hiç e mirë e klimës për të investuar në Kosovë, derisa u numëruan edhe arsyet dhe argumentet se pse kjo është kështu. DASh e nisi me atë që Investimet e Huaja Direkte në Kosovë “mbeten të kufizuara”. Çfarë u tha aty?

Motorri shtytës kryesor i ekonomisë kosovare mbeten remitancat e diasporë dhe përfaqësojnë rreth 16 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm, e nisi fillimisht raportin DASh, teksa konstatoi se kjo “e nënvizon nevojën” që Kosova të diversifikojë burimet e rritjes ekonomike. Këtu doli te Klima e Investimeve të Huaja, përkatësisht klimën jo të mirë për investime të huaja.

Çka e bën këtë klimë, klimë jo të mirë? Problemet strukturore, konstatuan ata.

“Integrimi i kufizuar ekonomik rajonal dhe global; ndërhyrja politike në ekonomi dhe gjyqësor; furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore; korrupsioni; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mungesën e zbatimit të kontratave”, shkruan në raport.

Por, edhe më tej, DASh i mëshon elefantit më të madh në dhomë kur thotë se moskonsoldimi përfundimtar ndërkombëtar i Kosovës, përbën pengesën më të madhe në këtë drejtim.

“Mosmarrëveshja e vazhdueshme e Kosovës me Serbinë dhe mungesa e njohjes formale nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, gjithashtu pengon investimet dhe krijon pengesa për të bërë biznes”, shkruan ata.

Për marrëdhëniet jonormale me Serbinë dhe potencialin e vazhdueshëm për përshkallëzim të situatës në veri, raporti i DASh ka shumëçka për të thënë në rrafshin e ndikimit në investime të huaja dhe në të bërit biznes në Kosovë. Ata i referohen në rend të parë tensioneve të fundvitit të kaluar për çështjen e targave ku u ngritën dhjetëra barrikada në veri, gjë që pengoi dhe bllokoi çarkullimin e mallrave.

“Mungesa e marrëdhënieve të normalizuara me Serbinë, nga e cila Kosova u shkëput në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, mbetet një burim tensionesh politike dhe kërcënimesh për konfrontime të dhunshme, veçanërisht në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Një shembull i fundit dhe ilustrues përfshin një njoftim të qeverisë së Kosovës në tetor 2022 për zbatimin e një vendimi të mëparshëm që kërkonte shkëmbimin e targave të Serbisë me targat ‘RKS’ të lëshuara nga Republika e Kosovës. Si përgjigje ndaj këtij njoftimi dhe rritjes së tensioneve, u ngritën barrikada në katër komunat veriore të Kosovës duke bllokuar rrugët e transportit brenda dhe jashtë rajonit”, thuhet në raport.

Për shkak se Kosova nuk është plotësisht brenda institucioneve ndërkombëtare dhe euroatlantike, raporti i DASh numëron disa pasoja të trajtave ekonomike që burojnë nga kjo.

“Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe fqinjët rajonalë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë ndër vendet që nuk e njohin shtetësinë e saj. Mungesa e njohjes gjithashtu e ekspozon Kosovën ndaj vështirësive delikate teknike në kryerjen e aktiviteteve të përditshme të biznesit”.

“Për shembull, Kosova nuk është e listuar në listën ISO 3166 të vendeve, gjë që rezulton në shumë kompani dhe shërbime që nuk e listojnë Kosovën në menunë rënëse të vendeve dhe detyron bizneset në Kosovë që ose të regjistrohen dhe të devijojnë biznesin e tyre përmes një vendi të tretë ose i bën ata të paaftë për të përdorur shërbime të tilla. Mungesa e Domenit të Nivelit të Lartë të Kodit të Shtetit (ccTLD) në Kosovë e bën më të vështirë gjurmimin e sulmeve kibernetike”, thuhet në raport.

Gjithashtu, DASh, në kapitullin ku trajton korrupsionin dhe lufitmin e saj, thotë se Qeveria e Kosovës ka qenë “relativisht e pasukseshme”.

“Qeveria ka miratuar masa të tjera për të trajtuar korrupsionin, duke përfshirë një kërkesë për të kryer të gjitha prokurimet publike në mënyrë elektronike dhe për të publikuar emrat e fituesve të kontratave. Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm janë agjencitë qeveritare të mandatuara për të luftuar korrupsionin”, thuhet në raportin e DASh.

Veç kësaj, në raport të DASh gjithashtu bëhet e ditur se “Ambasada e SHBA-së në Prishtinë nuk është në dijeni të ndonjë aktiviteti qeveritar për të inkurajuar kompanitë private që të krijojnë kode të brendshme të sjelljes, ose të industrisë lokale ose grupeve jofitimprurëse që ofrojnë shërbime për verifikimin e partnerëve të mundshëm investues vendorë”.

Të ngjashme