Lajme
Rama u kërkoi të mos heshtin ndaj deklaratës së rrezikshme të Dodik, BE thotë se von der Leyen ishte e qartë në Sarajevë
Demokracia
14:33 | 04 Nëntor 2023

Share:

Nacionalisti serb, Milorad Dodik, i dha hov sërish idesë së rrezikshme për “Serbinë e Madhe” që do të çonte në prekjen e kufijve të Kosovës, Bosnje e Hercegovinës e Malit të Zi me deklaratën e tij se në këtë shekull nevojitet që serbët ta kenë një shtet të vetëm. Mali i Zi i reagoi ashpër, duke ia bërë të qartë se ky vend shikon drejt të ardhmes europiane. Por, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e pa me shqetësim heshtjen e Bashkimit Europian mbi këtë deklaratë të presidentit të entitetit Republikës Srpska të Bosnje e Hercegovinës.

Edi Rama më 31 tetor shkroi në rrjetin social “X” se është i befasuar nga mosreagimi i BE-së për deklaratën nga një politikan me ideologji të rrezikshme nacionaliste serbe.

“Kanë kaluar tri ditë që nga deklaratat e rrezikshme dhe nxitëse kundër Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Duhet të rrëfej, jam i befasuar nga mungesa e reagimit të deritanishëm nga partnerët tanë të BE-së dhe sinqerisht shpresoj që kjo heshtje të thyhet sa më shpejt!”, ka shkruar Rama.

Heshtjen BE e theu në një përgjigje për Gazetën Express ku tha se e kanë në parim që të mos komentojnë mbi deklaratat e politikanëve, por se përgjigje për të është konferenca e shefes së BE-së, Ursula von der Leyen në Sarajevë, e cila e tha qartë se e ardhmja e Bosnjës është në Union.

“Ne nuk komentojmë deklaratat dhe do t’ju referojmë deklaratës së qartë të Presidentes von der Leyen për të ardhmen e Bosnjës dhe Hercegovinës në BE si një vend i vetëm, i bashkuar dhe sovran”, tha BE.

Çka tha von der Leyen në Bosnjë e Hercegovinë?

“Mesazhi im i parë në thelb është të ritheksoj se e ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës është në Bashkimin Europian dhe se sa shumë duam t’ju kemi si anëtar të plotë të Bashkimit Europian dhe sa e fortë është mbështetja jonë në rrugën tuaj përpara drejt këtij qëllimi”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët me Borjana Krišto, kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Presidentja e Komisionit Europian tha se emërimi i qeverisë në Bosnje dhe puna e bërë në vitin e parë në detyrë tregon se vendi mund t’ia dalë. Ajo e potencoi se Bosnja hyn në BE si shtet sovran dhe i bashkuar.

“Të gjithë e dimë – dhe ju e thatë – se respektimi i rendit kushtetues, i lirive themeluese dhe i shoqërisë civile janë në thelb të vlerave të BE-së dhe thelbësore në rrugën evropiane. E ardhmja e Bosnjës dhe Hercegovinës është në Bashkimin Europian si një vend i vetëm, i bashkuar dhe sovran”.

Von der Leyen e përfundoi konferencën me një zotim ndaj shtetit ballkanik.

“Ndaj këtu jam t’ju ritheksoj dhe t’ju siguroj se ne qëndrojmë në krahun tuaj dhe sa duam që ju të përparoni, si Bosnjë dhe Hercegovinë, drejt Bashkimit Europian”.

Cila ishte deklarata e Dodikut?

Presidenti i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, që është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, tha se në këtë kohë nevojitet “Serbia e Madhe”

“Jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri i botës, dhe serbët nuk duhet të zihen në befasi. Por, tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm të përbërë nga Republika Srpska, Serbia, Kosova dhe nëse një vendim i tillë është demokratik, edhe Mali i Zi”, tha ai për median propagandistike ruse “Sputnik”.

Më pas, ai pretendoi të dukej me paqësor duke thënë se ideja e tij e rrezikshme mund të implementohet “me masa politike, jo me luftë”.

Reagimi i Malit të Zi

Kësaj deklarate fillimisht i reagoi Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, e cila i ka rikujtuar që është shtet i pavarur dhe anëtar i NATO-s, duke i bërë thirrje Dodikut “të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste dhe të sillen politikisht dhe të përgjegjshëm, në frymën e marrëdhënieve miqësore”. MPJ-ja malazeze thotë se vendi është i fokusuar në të ardhmen europiane dhe jo në ide retrograde, të cilat “jetojnë falë retorikës nacionaliste dhe aspiratave të politikanë të caktuar nga rajoni”.

Vendi kandidat i BE-së tha se janë për një fqinjësi të mirë dhe jo për politika të tilla të prapambetura si të Dodikut. Mali i Zi po ashtu u ankua se shpesh flitet për pretendime territoriale.

“Nuk është hera e parë që e ardhmja e Malit të Zi është bërë objekt komentesh të papërshtatshme dhe të papranueshme për qëllime të situatave politike lokale në rajon, dhe/ose me qëllim të dëmtimit të qëllimshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, perspektivës europiane dhe sigurinë e rajonit, prandaj ftojmë z. Dodik të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste dhe të sillet politikisht dhe me përgjegjësi, në frymën e marrëdhënieve miqësore, siç ushqehen nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina”, u tha nga MPJ e Malit të Zi.

Më pas këtë e komentoi edhe vetë presidenti malazez, Jakov Milatoviq.

“Është shumë e qartë për të gjithë se ishte një deklaratë e keqe që unë e dënoj si president i Malit të Zi. Ne e kemi rrumbullakosur qartë shtetësinë dhe kemi ndjekur fuqishëm rrugën drejt BE-së. Për hir të qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës, ne presim që BeH të bashkohet me ne në këtë udhëtim. Kaq do të them”, tha Milatoviq.

Ndryshe nga BE, SHBA doli me një deklaratë të gjatë për ta dënuar.

Ambasadori amerikan në Sarajevë, Michael J. Murphy, ka numëruar dështimet e Dodikut si udhëheqës derisa thekson që halli i serbëve të Bosnjës është shpërbërja e këtij vendi.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të palëkundura në angazhimin e tyre ndaj Bosnje dhe Hercegovinës (BiH), integritetit territorial, sovranitetit dhe karakterit shumetnik, duke shtuar se “politikat tona nuk janë as antiserbe, as antiboshnjake, as antikroate, por janë pro-Bosnje-Hercegovinës në mënyrë të vendosur.

“Deklaratat e fundit të pamatura të z. Dodik, në të cilat ai bën thirrje për prishjen e kufijve shtetërorë në Ballkanin Perëndimor për të krijuar një shtet të vetëm serb, e tregojnë qartë këtë. Deklarata të tilla jo vetëm që destabilizojnë Bosnjën dhe Hercegovinën, por kërcënojnë edhe sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Ky përshkallëzim i fundit vjen pas një fushate të vazhdueshme të retorikës dhe veprimeve destabilizuese që synojnë të minojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Zoti Dodik po bllokon qeverinë, po kërcënon paqen dhe po përpiqet të shantazhojë apo ngacmojë liderët e tjerë politikë në vend, si dhe komunitetin ndërkombëtar, në vend që të angazhohet, me mirëbesim, në negociatat dhe kompromiset e nevojshme për të miratuar reformat e nevojshme për të afruar qytetarët me Bashkimin Europian. Në Republika Srpska, z. Dodik punon për t’u mohuar banorëve të drejtat dhe liritë e tyre themelore, si liria e medias, fjalës dhe tubimit, në mënyrë që të mbrohet nga kritika dhe llogaridhënia”, tha ambasadori amerikan.

 

Të ngjashme