Lajme
Rama flet për dialogun Kosovë-Serbi: Kurti është i frikësuar, veriu mund të kthehet në një Donbass të vogël
Demokracia
19:10 | 10 Gusht 2023

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, ai ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që t`i zbatojë obligimet e marra në këtë proces të dialogut.

Sipas kryeministrit shqiptar, Kurti është fiksuar dhe maksimalist.

“Unë e respektoj atë, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është i fiksuar dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë në tavolina përgjithmonë. Pastaj, historia të bën të presësh”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë me dije se situata në veri mund të kthehet në një Donbass të vogël.

“Po, sigurisht dhe jam shumë i shqetësuar, por gjithçka varet nga ne. Askush nuk mund ta ritrazojë Ballkanin nëse nuk i japim shanse. Konflikti në Kosovë mund të bëhet i madh, edhe pse në shkallë të vogla. Situata e pakicës serbe në veri mund të kthehet në një Donbass i vogël. Ëndrra e Putinit. Por Serbia nuk mund të jetë Rusi, edhe sikur të donte”, ka thënë Rama.

Të ngjashme