Lajme
Rakiq thotë se sulmin ndaj djalit të Rashiqit e ka orkestruar dhe urdhëruar Kurti
Demokracia
13:07 | 23 Shkurt 2021

Share:

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka reaguar pas sulmit të djalit të Nenad Rashiqit në fshatin Llapnasellë të Graçanicës.

Gjatë ditës së hënë është rrahuar nga disa persona djali i ish-ministrit serb, Nenad Rashiq.

Pas kësaj, u tha se ky ishte një sulm i orkestruar nga partitë tjera serbe të cilat janë kundërshtare të Nenad Rashiqit.

Mirëpo, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka mohuar se ky është një sulm politik, duke thënë se e gjithë kjo ka qenë e orkestruar dhe urdhëruar nga Albin Kurti.

Siç shkruajnë mediat serbe, transmeton Demokracia.com, Rakiq po ashtu ka thënë se, jo vetëm ky sulm por edhe sulmet e tjera po kryhen përmes siç tha ai, ndihmësve të Kurtit, Nendad Rashiqit dhe Rada Trajkoviqit, persona këta që janë kundërshtar të Listës Serbe.

Sipas tij, autoritetet kosovare janë duke vazhduar të bëjnë presion mbi Listën Serbe, pavarësisht se ata nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë sulm, por i gjithë presioni është duke u bërë për shkak të rezultateve të zgjedhjeve.

Tutje Rakiq ka thënë se sulmi ndaj Nikolla Rashiq, është pasojë e konflikteve të partive dhe jo për shkak të aktiviteteve politike që i ka Rashiq.

“Meqenëse ju vetë jeni dëshmitarë, sulmet u orkestruan dhe u urdhëruan nga Albin Kurti, dhe ato po kryhen përmes ndihmësve të tij, mbi të gjitha Rada Trajkoviq dhe Nenad Rashiq. Incidenti i djeshëm, më saktë ishte një luftë e organizuar midis dy grupeve të të rinjve në të cilën disa të rinj u plagosën, përfshirë djalin e Nenad Rashiq, është rezultat i konflikteve private midis këtyre të rinjve, të cilat kanë zgjatur për disa ditë dhe nuk ka asnjë lidhje me aktivitetet politike të babait të tij”, thekoi Rakiq, transmeton më tutje Demokracia.com.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk është e panjohur për të gjithë serbët në Graçanicë, e madje edhe vetë Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviq e dinë që ka sulme të tilla mes të rinjve, por siç theksoi Rakiq, ata po heshtin për shkak se kanë bërë një marrëveshje me Kurtin dhe se kanë pasur nevojë për një incident të tillë duke thënë se përmes këtij incidenti janë përpjekur që të tronditin unitetin e serbëve duke e vlerësuar dhe duke e paraqitur si incident politik.

“Si kryetar i Listës Serbe, një institucion të cilit i besoni në çdo zgjedhje, unë kam pasur detyrimin t’ju tregoj në detaje se për çfarë bëhet fjalë, por gjithashtu t’ju bëj thirrje të gjithë juve që të mos përfshiheni (abstenoni),  dhe t’i besoni vendit tuaj dhe Serbisë tuaj. Unë e theksoj këtë sepse jam i vetëdijshëm që kjo nuk do të mbarojë dhe se presioni, trillimet dhe gënjeshtrat do të vazhdojnë, sepse uniteti serb është kulla e mbijetesës sonë dhe kjo i shqetëson më shumë armiqtë tanë. Kjo është arsyeja pse këto ditë, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Lista Serbe janë shënjestrat e Kurtit dhe mbështetësve të tij”, deklaroi Rakiq.

Theksojmë se për sulmin ndaj Nikolla Rashiqit, djalit të ish-ministrit Nenad Rashiq, janë arrestuar tetë persona, përfshirë edhe një të mitur. /Demokracia.com/

Të ngjashme