Lajme
Qytetarët nuk guxojnë te kalojnë as nëpër shesh prej qenve endacakë, Rama thërret seancë për Ukrainën
Demokracia
22:50 | 21 Shkurt 2023

Share:

Kryetari i Komunës së Prishtinës duket se ka “harruar” problemet e qytetarëve të kryeqytetit, të cilët nuk guxojnë të kalojnë as shesheve prej qenve endacak. Për këtë të premte, i pari i Prishtinës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për Ukrainën.

Më 31 janar është mbajtur mbledhja e parë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila nuk arriti të përfundonte në tërësi.

Megjithëkëtë, Komuna e Prishtinës nuk do të mbajë një mbledhje të rregullt për problemet që presin zgjidhje, por do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme më datën 24 shkurt.

Të premten, duke filluar nga ora 10:00, Prishtina do të mbajë seancë për Ukrainën, në shenjë solidarizimi dhe thirrje për paqe.

Për këtë ka reaguar opozita e Prishtinës duke thënë se Prishtina duhet të mbajë edhe seanca të rregullta ku trajtohen problemet e qytetarëve të saj.

Reagime ka pasur  nga qytetarët, të cilët kanë treguar se si ndërkohë të moshuarit vazhdojnë të presin autobusin nëpër stacionet pa pritore.

“Nuk u kanë keq me u marrë edhe me do pritore të busave, mos me mbetë kështu qytetarët, me u ulë në cunga”, ka qenë reagimi i një qytetari në një status, duke e shoqëruar me një fotografi.

Të ngjashme