Lajme
Udhëtimi i përbashkët i Përparim Ramës me Bekim Ramkun te profesori Rafi Segal, që më pas solli tenderin 1.2 milionë euro
Demokracia
20:00 | 07 Maj 2024

Share:

Komuna e Prishtinës tashmë e ka projektin si do të duket Tulltorja, e cila është e rrethuar nga tri lagjet, Tophanja, Arbëria dhe Kodra e Trimave, shkruan Demokracia.com.

Tenderi “Konkurs projektimin – Art&teknology Hub – Tulltorja” i ka kushtuar Komunës së Prishtinës 1.2 milionë euro.

Kontrata ishte lidhur me grupin e kompanive në konzorcium “ORG Urbanisum& Architecture BV”; “Rafi Segal Architecture Urbanisem”; “O.U.D -ARCHITECTS SHPK”.

Dy ofertuesit e parë janë të huaj, ndërsa e treta “O.U.D -ARCHITECTS SHPK” është me pronar kosovar. Ajo është në pronësi të Bekim Ramkut.

Demokracia.com ka gjetur se Rama bashkë me Ramkun kishin udhëtuar për në SHBA në vitin 2022, për të mbajtur një ligjëratë në Universitetin “MIT Massachusetts Institute of Technology”.

Po ashtu, Demokracia.com ka gjetur se njëri nga partnerët në konzorcium për tulltoren, “Rafi Segal Architecture Urbanisem” është Rafi Segal, i cili është profesor i asociuar i arkitekturës dhe urbanizmit në Departamentin e Arkitekturës në MIT, aty ku Bekim Ramku kishte organizuar konferencën si udhëheqës i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës.

Vetëm pak kohë pas kësaj konference, Bekim Ramku dhe Rafi Segal do të lidhnin kontratë me Përparim Ramën.

Katedra e fakultetit të Raif Segal ka shkruar para pak ditësh për këtë.

Demokracia.com ka raportuar disa herë lidhur me dyshimet rreth këtij tenderi, pasi kryetari Përparim Rama kishte zgjedhur njerëzit e afërt të tij që të bënin edhe vlerësimin e tenderit.

Demokracia.com kishte siguruar qasje në Raportin e Vlerësimit për këtë tender. Aty shihej se personat që e kanë bërë vlerësimin nuk kanë qenë fare zyrtarë të Komunës së Prishtinës, por ishin tre arkitektë të angazhuar nga jashtë, për të cilët nuk dihet mënyra e angazhimit në këtë tender.

Arkitektja Vildane Maliqi, arkitekti Visar Geci dhe arkitekti Gzim Kastrati kanë qenë ata që e kanë bërë vlerësimin e tenderit.

Visar Geci me Gzim Kastratin janë arkitektë që kohëve të fundit janë shfaqur mjaft të afërt me kryetarin Përparim Rama. Pos që janë angazhuar në vlerësimin e këtij tenderi, kjo dyshe ishte angazhuar para disa javësh nga komuna e Përparim Ramës edhe për të bërë një vlerësim të punëve të kulmit që ishte rrëzuar nga objekti i Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”, ku ishte lënduar rëndë një vajzë. Raportin e tyre ata e kishin dorëzuar në komunë. Po ashtu, kjo dyshe së fundmi janë angazhuar edhe tek “Arkitekti i kryeqytetit”, kontratë kjo e lidhur nga Astrit Nixha dhe Komuna e Prishtinës në vlerë mbi 10 milionë euro. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

FOTO | DOKUMENTE: Komuna e Prishtinës i jep 1.2 milionë euro për grupin e “dostit” të Përparim Ramës

 

Të ngjashme