Lajme
Qeveria ia hoqi licencën Klan Kosovës, reagon KPM-ja
Demokracia
22:59 | 14 Qershor 2023

Share:

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka deklaruar se është vënë në dijeni se sot Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ia ka pezulluar certifikatën e biznesit shoqërisë tregtare “Klan Kosova sh.p.k”.

Sipas njoftimit, KPM-ja është duke e analizuar rastin konform Ligjit për KPM-në dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me dhënien e licencës dhe vlerësimin e aplikacioneve për licencë.

“Rasti do të trajtohet në mbledhjen e KPM-së të premten më 16 qershor 2023”, thuhet në reagimin e KPM-së në Facebook.

Të mërkurën, ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka iniciuar kallëzim penal ndaj Klan Kosovës.

Kështu ka njoftuar MINT duke shtuar se ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, deri në një vendim tjetër.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Tutje, thuhet se mbështetur në aktet ligjore, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër.

Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pronari i Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet në komunikatë.

Ministria ka deklaruar se ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarrë masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes.

“Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë. Andaj, për të adresuar mirëfilli përgjegjësitë, MINT ka dorëzuar në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës kallëzim penal në mënyrë që e vërteta rreth kësaj çështjeje të vërtetohet në proces gjyqësor dhe keqpërdoruesit potencial të përgjigjen para organeve të drejtësisë sipas normativave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e MINT.

Për këtë ka reaguar Klan Kosova duke thënë se janë njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim rreth orës 18:00, “kurse deri në këto çaste nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria”.

Në reagimin e Klan Kosovës thuhet se asnjëherë deri më sot nuk kanë pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.

“Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në reagimin publik të Klan Kosovës.

Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me pezullimin e licencës së Klan Kosova.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i tronditur me njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, përmes një vendimi të paargumentuar, pa specifikim të bazës ligjore dhe pa paralajmërim. AGK-ja, e konsideron veprimin e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së

 

Të ngjashme