Lajme
Qentë endacakë mbesin rrezik për kryeqytetasit
Demokracia
22:59 | 17 Dhjetor 2023

Share:

Qytetarët e Prishtinës akoma janë në hall nga qentë endacakë, madje në çdo lagje e pjesë të qytetit. Shkaku i stinës së dimrit, temperaturave të ulëta dhe urisë, shtohet edhe më tej rreziku prej tyre. Qytetarët kërkojnë zgjidhje nga komuna e kjo e fundit ka ndërmarrë disa iniciativa.

Brenda një dite, në rrjetet sociale janë publikuar disa raste të sulmeve të qytetarëve nga qentë endacakë.

Alketa Bala nga Prishtina ka deklaruar se brenda katër muajve është sulmuar dy herë nga qentë endacakë. E kontaktuar nga RTK, ajo thotë se është e papranueshme për qytetarët të ndihen vazhdimisht në rrezik.

Qentë endacakë nuk zgjedhin persona dhe as kohë për të sulmuar. Një vajzë tjetër në lagjen Dardania, sipas kamerave të sigurisë të publikuara nga “Vrojtuesit e lagjes”, shihet kur sulmohet nga një tufë qensh.

Qytetarët shprehin shqetësimin që numri i rasteve të sulmit nga qentë endacakë sa vjen e rritet. Ata kërkojnë nga Komuna e Prishtinës që urgjentisht të ndërmerren hapa konkret.

“Prej qenëve endacak jemi të rrezikuar, bashkëshortja nuk guxon me i hedh mbeturinat deri tek kontenieri. Unë punoj në KEK, dal nga banesa 5:15. Unë çuditem kur të dal në atë kohë, mendoj a janë dele apo janë qenë. Edhe kur punoj në ndërrimin e dytë kthehem 12:15 të natës. Kam qenë i sulmuar në lagjen tjetër, të rrezikuar jemi gjithnjë”, thotë Mehdi Jashanica, banor i Prishtinës.

Ndërkaq sipas qytetarit tjetër, Besfort Matoshi, rreziku më i madh për sulmim nga qentë është në orët e hershme të mëngjesit.

Komuna e Prishtinës vazhdon me programin e adaptimit të qenve endacakë, ku secili qytetar që adapton një të tillë, merr 50 euro në muaj. Ditë më parë, Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Lipjani, Podujeva dhe Graçanica, nënshkruan marrëveshje ndërkomunale, nga e cila pritet të ketë bashkërendim të aktiviteteve sa i përket menaxhimit të mbeturinave, qenve endacakë e transportit publik.

Të ngjashme