ShowBiz
Pse Nicki Minaj dhe Jessie J u përfshinë në debat
Demokracia
12:24 | 08 Gusht 2021

Share:

A ju kujtohet kënga “Bang Bang” e Jessie J, Ariana Grande dhe Nicki Minaj? Me siguri që po. Mesa duket, kjo këngë u bë shkak për një debat mes Jessie J dhe Nicki-t.

Në një intervistë të fundit për “Glamour”, Jessie J u shpreh se ajo dhe Ariana kishin rënë në kontakt me këngën e shkruar nga Max Martin. “Ariana e kishte kënduar, unë e kisha kënduar dhe të dyja e donim. Pastaj thamë, ‘Pse nuk e këndojmë bashkë?’ Kështu që Ariana qëndroi në pjesën e dytë, ndërsa unë në të parën.”

Deri këtu gjithçka ishte mirë e bukur. Pas kësaj, Jessie tregoi se pasi Nicki dëgjoi këngën, donte të ishte pjesë. Sipas saj, ato nuk e pyetën, por Nicki dëshironte të ishte pjesë.

“Nuk do ta harroj kurrë: Isha në dhomën e gjumit në banesën time në Londër dhe më dërguan versionin e Nicki-t. Thjesht u ula në shtrat duke mbajtur telefonin dhe shihja në dysheme. ‘Si dreqin ia dola?’ U ndjeva, fjalë për fjalë, sikur kisha fituar një konkurs,” shtoi Jessie.

Por, sipas Nicki-t, ekziston një tjetër version për këngën.

“Jessie, zemër, unë nuk e dëgjova këngën dhe kërkova të isha pjesë. Labeli më pyeti dhe më pagoi që të isha pjesë. Si mund ta kem dëgjuar këngën. Çfarë jam unë – monitor këngësh? Që kërkoj vërdallë për këngë? Kjo gjë u tha nga një tjetër artist së fundmi. Ndaloni. Ju dua.” – shkroi ajo në Twitter.

Pas kësaj, Nicki shtoi se do të donte të ishte pjesë e këngës së Jessie-t, “Do it like a dude”, por askush nuk e ftoi. Kjo fjali kundërshton një intervistë të mëparshme të Jessie J ku thotë se u përpoq të kishte Nicki-n në këngën në fjalë.

Në një intervistë të vitit 2016, drejtuesja e Republic Records duket se e konfirmon atë që ka thënë Nicki. “U shkrua për Ariana-n. Ajo nuk e donte dhe e urrente. Kështu që ia dërgova Jessie J dhe pastaj Nicki-t. Kështu u krijua kënga. Kisha frikë ta dërgoja te Ari. Kështu që ia dërgova kryetarit të Republic Records dhe i thashë: ‘Vendoseni këtë këngë për Ariana-n.’ Kur e dëgjoi, ajo tha: ‘E dua sërish’.”

Në fakt, intervista në kundërshtim me “Pse nuk e këndojmë bashkë?” që Jessie J pretendon për nisjen e bashkëpunimit me Ariana Grande-n.

Jessie reagoi edhe në Instagram, përmes një postimi me mbishkrim të gjatë drejtuar Nicki-t, ku ndër të tjera shkruan:

“Kur filloi kjo energji e çuditshme mes nesh? Apo ndoshta kur më përdorje që të zbrisje shkallët në AMA. Ishte shumë gallatë. [Gjatë performancës në American Music Awards, Nicki zbret shkallët duke u mbajtur te Jessie].”

Më tej shton:

“Që prej momentit që të kam takuar, nuk kam treguar asgjë tjetër veçse dashuri dhe mirënjohje për sa e bekuar isha që të kisha ty dhe Ariana-n, e cila meqë ra fjala, bashkë me Max Martin shkruan ‘Bang Bang’. Çfarë dite. Më fal Ari, nuk e dija.”

Jessie shton se është personi i parë që e pranon që “Bang Bang” nuk do të ishte asgjë pa Nicki-n dhe Ariana-n. “Më vjen keq që e kam ditur historinë gabim gjatë këtyre viteve. Më thanë që dëgjove këngën dhe doje të ishe pjesë. Faleminderit që e sqarove që isha gabim si për ‘Bang Bang’ ashtu edhe për ‘Do it like a dude’,” shkruan Jessie.

“Çfarë mënyrë për të festuar 7-vjetorin e këngës. A duhet të shkojmë të gjithë për darkë? Jo…Ndoshta jo tani… Shumë shpejt? Bang Bang pjesa e dytë?…Jo…E mora vesh, e kuptova. ‘Do it like a dude’ remiks? Ok. E qepa.

Shikoni, kënga bëri namin. Nuk do të them më kurrë që Nicki donte të ishte pjesë. Edhe pse gjithë kjo dramë dhe këto meme më kanë argëtuar gjithë ditën. Gjithmonë dashuri nga unë.” – përfundon Jessie.

Të ngjashme