Lajme
Pronarët e Rrjedhës Veriore inspektojnë tubacionet e dëmtuara
Demokracia
18:05 | 27 Tetor 2022

Share:

Një anije me flamur rus mbërriti të enjten në tubacionet e dëmtuara të gazsjellësit Rrjedha Veriore në Detin Baltik për të kryer një inspektim në emër të pronarëve, njoftoi kompania dhe marina suedeze.

Kompania që menaxhon këtë tubacion tha se “anija e pajisur në mënyrë speciale” kishte mbërritur në vendin e “dëmtimit të tubacionit në zonën ekskluzive ekonomike të Suedisë”.

Katër rrjedhje u shfaqën në dy tubacionet Rrjedha Veriore në Detin Baltik në brigjet e ishullit danez të Bornholm në fund të shtatorit. Institutet sizmike raportuan se kishin regjistruar dy shpërthime nënujore përpara shfaqjes së rrjedhjeve.

Ndërsa rrjedhjet ishin në ujërat ndërkombëtare, dy prej tyre ishin në zonën ekskluzive ekonomike daneze dhe dy prej tyre në atë suedeze.

“Pas kryerjes së punimeve të kalibrimit, specialistët do të jenë gati brenda 24 orëve për të filluar studimin e zonës së dëmtuar që do të zgjatë tre deri në pesë ditë sipas vlerësimeve aktuale”, u tha në deklaratën e kompanisë që menaxhon Rrjedhën Veriore.

Jimmie Adamsson, zëdhënës i marinës suedeze, tha se “pronarët e Rrjedhës Veriore 1 na informuan disa javë më parë se donin të kishin inspektimin e tyre për dëmtimin e tubacionit”.

Adamsson shtoi se nuk kishte nevojë për leje dhe se “në zonën ekskluzive ekonomike suedeze çdokush mund të bëjë këtë lloj inspektimi”.

Të mërkurën, marina suedeze njoftoi se kishte filluar inspektimet e tyre të reja këtë javë për të plotësuar një inspektim të mëparshëm, por nuk dha detaje se çfarë po kërkonin.

Autoritetet suedeze njoftuan në fillim të tetorit se kishin kryer një inspektim nënujor të vendit dhe kishin mbledhur “pjesë provash” dhe se inspektimi mbështeti dyshimet për sabotim.

Tubacionet, të cilat lidhin Rusinë me Gjermaninë, kanë qenë në qendër të tensioneve gjeopolitike pasi Rusia ndërpreu furnizimet me gaz në Evropë si hakmarrje e dyshuar ndaj sanksioneve perëndimore mbi pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Edhe pse ato nuk ishin në funksion kur ndodhën rrjedhjet, ato të dyja ende përmbanin gaz./REL

Të ngjashme