Lajme
Procesi i negociatave ‘ndërlikohet’ më shumë nga rrethimi i Mariupolit
Demokracia
14:58 | 19 Prill 2022

Share:

Rrethimi rus i qytetit të Mariupolit ka komplikuar më tej procesin e negociatave për luftën në Ukrainë dhe është e vështirë të thuhet se kur mund të rifillojnë bisedimet e drejtpërdrejta, tha të martën për Reuters, negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak.

Podolyak tha në një përgjigje me shkrim për pyetjet nga Reutersi se ai besonte se Rusia po punonte për të forcuar pozicionet e saj përmes një ofensive të re që ka nisur në Ukrainën lindore.

“Natyrisht, në sfondin e tragjedisë së Mariupolit, procesi i negociatave është bërë edhe më i ndërlikuar,” tha ai për qytetin port jugor.

Rusia të martën u bëri thirrje forcave ukrainase që “menjëherë” të dorëzojnë armët dhe lëshoi një ultimatum të ri që mbrojtësit e qytetit-port të rrethuar të Mariupolit që të heqin dorë.

Paralajmërimi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes u bë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi të hënën vonë për fillimin e një ofensive të re nga Moska që është e përqendruar në lindje të shtetit ish-sovjetik.

“Ne u bëjmë thirrje edhe një herë autoriteteve të Kievit që të tregojnë arsye dhe të japin urdhrat përkatëse për luftëtarët që të ndalojnë rezistencën e tyre të pakuptimtë”, tha në një deklaratë Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Por, duke kuptuar se ata nuk do të marrin udhëzime dhe urdhra të tilla nga autoritetet e Kievit, ne u bëjmë thirrje (luftëtarëve) që vullnetarisht ta marrin këtë vendim dhe t’i dorëzojnë armët.”

Deklarata nuk përmendi drejtpërdrejt një ofensivë të re tokësore në Ukrainën lindore.

Por, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, konfirmoi se forcat e tij po “zbatonin gradualisht planin tonë për të çliruar” Ukrainën lindore.

“Ne po marrim masa për të rivendosur jetën paqësore,” tha ai në një takim televiziv me komandantët ushtarakë rusë.

Disa nga luftimet më të ashpra të fushatës ruse janë përqendruar rreth qytetit-port të Mariupolit.

Ndryshe, porti i Mariupolit ofron një urë tokësore midis pjesëve të kontrolluara nga Moska të Ukrainës lindore dhe Gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Kremlini.

Të ngjashme