Lajme
Problemi me qentë endacakë, strategjia kombëtare për trajtimin e tyre pritet të miratohet në fund të qershorit
Demokracia
13:48 | 19 Maj 2022

Share:

Problemit të kamotshëm të qenve endacakë në Kosovë duket se shpejt do t’i vijë fundi.

Kjo pasi Qeveria e Kosovës në fund të muajit qershor pritet të miratojë strategjinë kombëtare për trajtimin e kësaj çështjeje.

Kështu ka bërë të ditur në seancën e sotme të Kuvendit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pasi u pyet nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, se kur do të gjendet një zgjidhje konkrete për këtë problem.

“Ky është një nga shqetësime kryesore ditëve të fundit. Ne si ministri kemi nxjerrë një vendim më 16 shkurt që të formohet një grup punues për hartimin e një strategjie kombëtare. Në fund të qershorit do ta kemi të miratuar në Qeverinë e Kosovës strategjinë kombëtare për qentë endacakë”, ka deklaruar Krasniqi.

Hartimi i strategjisë kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë ishte premtim i kryeministrit Albin Kurti.

Ai pati thënë se Qeveria do të kërkojë po ashtu ndihmë edhe nga akterët, partnerët e huaj në mënyrë që mjetet financiare të mos jenë problem për zbatimin e masave dhe projekteve të qëndrueshme e humane për menaxhimin e popullsisë së qenve, ashtu që Kosova sa më parë të mos ketë më qenë endacakë në rrugë.

Ndryshe, çështja e qenve endacakë vazhdon të jetë problem në Prishtinë, e në shumë qytete të Kosovës.

Qytetarët vazhdojnë të jenë pre e sulmeve nga qentë endacakë, të cilët ndodhen pothuajse në çdo lagje e rrugë të kryeqytetit.

Shpeshherë viktima të këtyre sulmeve janë edhe kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë; gratë shtatzëna, fëmijët e të moshuarit. Disa kalojnë me pasoja më të lehta e ca të tjerë përfundojnë në spitale.

Mijëra euro janë ndarë nga buxheti i komunës dhe pika të reja ushqyese për strehimin e tyre janë hapur, megjithatë problemi me qentë endacakë vijon të jetë i pazgjidhur.

Në fillim të muajit prill, Komuna e Prishtinës njoftoi se janë hapur 18 pika të reja ushqyese për qentë endacakë në kryeqytet dhe totali i tyre ka shkuar në 23.

Ditë më parë në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, nga ky institucion ndonëse nuk treguan se sa është buxheti total i ndarë gjatë vitit 2021 dhe muajve të 2022-ës, thanë se përmes këtyre pikave synojnë uljen e agresivitetit të qenve endacakë.

Por, hapja e këtyre pikave të reja të ushqimit nuk e ka ulur numrin e rasteve të sulmit nga qentë endacakë. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës të dërguara në adresë të redaksisë, 41 qytetarë janë sulmuar nga qentë endacakë në Prishtinë dhe po aq kanë pësuar lëndime trupore, vetëm gjatë periudhës janar-mars 2022.

Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2021 janë sulmuar gjithsej 89 qytetarë, ndërsa prej tyre 69 kanë marr lëndime.

Të ngjashme