Lajme
Pro-rusët paralajmërojnë luftëtarët në Severodonjeck| Moska ‘mirëpret’ Vatikanin
Demokracia
14:50 | 13 Qershor 2022

Share:

“Njësitë ushtarake ukrainase që janë në Severodonjeck, duhet të qëndrojnë atje. Ata kanë dy mundësi: të ndjekin shembullin e kolegëve të tyre dhe të dorëzohen, ose të vdesin. Ata nuk kanë zgjidhje tjetër”.

Kështu ka deklaruar nënkryetari i forcave ushtarake të Republikës së vetëshpallur Popullore të Donjeckut, Eduard Basurin, sipas agjencisë së lajmeve “Ria Novosti”.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit të Luhanskut, Sergey Gaidai, tha se forcat ruse kontrollojnë 70% të Severodonetsk dhe kanë shtuar bombardimet në Lischiansk.

Por nuk ka asnjë kërcënim për të rrethuar trupat e Kievit. Evakuimet dhe transporti i mallrave janë të pamundura për shkak të bombardimeve, tha ai, ndërsa qindra njerëz mbeten në fabrikën Azot.

Sakaq, Rusia mirëpret përpjekjet ndërmjetësuese të Selisë së Shenjtë në konfliktin në Ukrainë.

Po ashtu, Moska mbështet dialogun e ndershëm për një sërë çështjesh, tha për “Ria Novosti” Alexey Paramonov, drejtor i Departamentit të Parë Evropian të Ministrisë së Jashtme ruse.

“Udhëheqja e Vatikanit, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur gatishmërinë e saj për të ofruar çdo ndihmë të mundshme për të arritur paqen dhe për t’i dhënë fund armiqësive në Ukrainë, – tha ai. – Këto deklarata janë konfirmuar në praktikë. Ne mbajmë një dialog të hapur dhe konfidencial për një sërë çështjesh, kryesisht të lidhura për situatën humanitare në Ukrainë”.

Të ngjashme