Lajme
Prilli i brishtë për Lajçakun, çfarë do të sjellë 2 maji?
Demokracia
12:47 | 29 Prill 2023

Share:

Muaji prill emrin për nga etimologjia e derivon nga latinishtja (aperire) si “hapje” ose “çelje”, përkatësisht si lulet në pranverë. Megjithatë fundi i prillit nuk ka dhënë shenja të ndonjë hapjeje. Përkundrazi, ka dhënë indikacione mbylljeje. Dhe krejt kjo në kontekstin e marrëveshjes të trumbetuar si “historike” për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbisë iu deshën vetëm një muaj që ta shkelë atë duke iu kundërvënë aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ndonëse në Nenin 4 të Marrëveshjes Bazike stipulohet e kundërta.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili është në vitin e katërt të mandatit të tij për të ndërmjetësuar/lehtësuar një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (dikur aspironte marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe finale), ka shprehur një mori shqetësimesh për rrugën para. Para disa ditësh ai shprehu një brengë të madhe. “Kemi një rrugë drejt normalizimit. Por kjo rrugë është e minuar dhe ne duhet të shmangim të shkelim në ndonjë nga ato mina. Sepse kjo mund të çojë në shpërthime gjithë procesit”, ka thënë Lajçak gjatë diskutimit të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Austriak për Paqe.

Vetëm më pastaj erdhën edhe zgjedhjet në katër komunat veriore në Kosovë të banuara me shumicë serbe. Shtetet e Bashkuara nuk kontestuan legjitimitetin e rezultatit me pjesëmarrje rreth 3% dhe me bojkot të tërësishëm të komunitetit serb, ndërkaq Bashkimi Evropian u shpreh se këto zgjidhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq shpërtheu në gjuhë ndaj tërë bashkësisë ndërkombëtare duke i quajtur “gënjeshtarë”. Zgjedhjet u mbajtën nëpër kontejnerë dhe me prani të madhe policore, ndërsa serbët qëndruan nëpër shtëpitë e tyre në shpërfillje të plotë të këtyre zgjedhjeve.

Me t’u konkluduar këto zgjedhje, Asambleja Komunale në Mitrovicën e Veriut e udhëhequr tashmë nga Lëvizja Vetëvendosje, unanimisht morri një vendim për hapjen e Urës emblematike të Ibrit, urë kjo që për dy dekada ndan në dysh qytetin etnikisht të ndarë të Mitrovicës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e komentuan këtë vendim; ndërmjetësi Lajçak, po.

“Deri sa po flasim tani, në Mitrovicë ka një kërkesë për të hapur urën dhe atmosferë për këtë gjë është e qartë se nuk ka. Dua të dërgoj mesazh në këtë panel dhe kjo është platforma e duhur, që ky plan [i BE-së për normalizim të marrëdhënieve] është fitore për të dyja palët, ka përfitime për të dyja palët dhe vijat e kuqe duhet të respektohen”, ka thënë Lajçak nga Athina.

Asociacioni, kryetema

Takimi i parë i Nivelit të Lartë pas Marrëveshjes së Ohrit mbahet më 2 maj dhe në krye të agjendës do ta ketë fillimin e procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këtë e konfirmoi vetë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, ku tha se është pikërisht draft-Statuti i Asociacionit ajo çfarë do të kenë në tryezë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Do të jetë hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak. Se themelimi i Asociacionit është “nevojë urgjente” tha edhe Këshilltari i Lartë në DASh, Derek Cholllet, shkruan Nacionale.

“Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit [të Komunave të banuara me shumicë serbe] do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Miroslav Lajçak këtë të enjte.

Lajçak vazhdoi të elaborojë edhe më tej për çka dhe pse po bëhet ky Asociacion: “për të qartësuar marrëdhënien mes qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës”, tha ai. Kjo, sipas tij, për arsye të “përcaktimit të statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe pakicës serbe në Kosovë”. Dhe, këtij Asociacioni, sipas Lajçak, i duhet përcaktuar “se çfarë kompetencash do të ketë”.

“Është temë e ndjeshme, ka ende shumë për të biseduar rreth saj, por për mua është e rëndësishme që më në fund të nisim të përcaktojmë se çfarë do të thotë ky Asociacion, cili do të jetë statusi ligjor i tij, çfarë kompetencash do të ketë. Do t’u rrimë prapa modeleve evropiane”.

Deklarohet Chollet

Zyrtari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit këtë të enjte telefonoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin, siç lajmëroi, biseduan rreth “nevojës urgjente për themelimin e Asociaconit të Komunave Serbe”.

“Bisedë përmbajtësore dhe pozitive me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot. U pajtuam rreth fuqizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëermjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë dhe përqendrimin e përbashkët në progresin rreth Dialogut, e në veçanti për nevojën urgjente për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Presim takim konstruktiv më 2 maj në Bruksel”, shkroi Derek Chollet në Twitter.

Vuçiq kërkon tjetër çka: Asociacion përtej Kushtetutës së Kosovës

Në një konferencë për media duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të populluara me shumicë serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se “nuk kam vendosur ende” nëse do të shkojë në dialog më 2 maj, por vetëm që të dëgjojë Ekipin Menaxhues.

Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe “duhet të formohet vetëm në bazë të parimeve të nënshkruara me [ish-Kryeministrin e Kosovës] Isa Mustafën”, u shpreh decidivisht ai. “Të mos luajnë përralla me Serbinë rreth Kushtetutës së Kosovës”, tha presidenti serb dhe shtoi se krahas Asociacionit do të kërkojë edhe tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ato zona.

Edhe ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiq, duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha se “parakusht i të gjitha parakushteve” për Serbinë që të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Asociacioni, sipas Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bisedimet maratonëshe prej 12 orëve në Ohër muajin e kaluar ka paraqitur, siç është thënë, tri shtylla se si një Asociacioni tillë mund të ishte i bëshëm nga Kosova. E para, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me parimet e këtij Asociacioni, e dyta qëndrimi i Bashkimit Evropian i shprehur më 2015 përmes letrës së ish-Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, dhe e treta, një Op/Ed i botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, se çka do të jetë dhe çka nuk do të jetë ky Asociacion.

Të ngjashme