Lajme
Pretendimet për rrahjen e qytetarit rom nga 5 policë, IPK nis hetimet – “OPRE ROMA” thërret protestë
Demokracia
20:00 | 27 Gusht 2023

Share:

Një qytetar nga komuniteti rom është ankuar se është rrahur në Graçanicë nga pesë policë.

Sipas tij, sulmi ka ndodhur më 18 gusht. Për këtë ai është ankuar në Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK).

E ankesën e ka konfirmuar për Gazetën Express, Arbër Beka zëdhënës në IPK.

Ai ka thënë se veprimet do të ndërmarren varësisht nga të gjeturat.

”Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju konfirmon se ka pranuar ankesën nga qytetari në fjalë dhe e njëjta është në fazën e hetimit preliminar”

”Veprimet tjera do të ndërmirren varësisht nga të gjeturat nga hetimi dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, ka thënë Beka.

Akterë të shoqërisë civile shpesh ngrisin zërin se në Kosovë ka diskriminim ndaj komuniteteve joshumicë, sidomos atyre rom, ashkali dhe egjiptian.

Për këtë kërkesa për institucionet kompetente gjithmonë ka qenë më shumë politika për përmirësimin e pozicionit të tyre në shoqëri.

Paralajmërohet protestë:

Pas këtij rasti, Organizata Opre Roma Kosova ka paralajmëruar protestë të martën para stacionit policor të Graçanicës.

Kjo organziatë e ka dhënë identitetin e personit që pretendohet të jetë sulmuar e që është Burhan Ibrahimoviq.

“Burhan Ibrahimovicit, me të mbërritur në stacionin e policisë, në mënyrë tronditëse iu mohua mundësia për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me konfliktin e supozuar. Në vend që t’i jepej një shans i drejtë për të paraqitur këndvështrimin e tij, atij iu dha një gjobë – veprim ky që ngriti menjëherë shqetësimet për qëllimet e autoriteteve. Situata mori një kthesë edhe më të rëndë kur një grup prej 4-5 zyrtarësh policor në stacionin policor të Graçanicës e shoqëruan Burhanin në një dhomë të veçantë. Në atë që mund të përshkruhet vetëm si një shpërdorim i tmerrshëm i pushtetit, ai iu nënshtrua dhunës brutale fizike, një shkelje që shpërfill në mënyrë flagrante të drejtat e tij themelore njerëzore. Incidenti e la Burhanin të rrahur dhe të mavijosur, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. Pas lirimit të tij nga paraburgimi policor më 19 gusht 2023, Ibrahimovic kërkoi kujdes të menjëhershëm mjekësor në një spital lokal. Lëndimet e tij janë dokumentuar nga mjekët, duke vërtetuar peshën e dhunës që ka pësuar. Në përpjekje për të siguruar drejtësi dhe llogaridhënie, incidenti është denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Të ngjashme