Lajme
Osmani e kishte fshehur foton e Adem Demaçit në Parlamentin Evropian, e kishte prezantuar vetëm atë të Ibrahim Rugovës
Demokracia
22:35 | 09 Shkurt 2023

Share:

Një fotografi e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në sfond të së cilës shihet fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka ekzaltuar kosovarët, sidomos mbështetësit e LDK-së, të cilët e kanë publikuar nëpër rrjetet sociale. 

Fotografinë e Rugovës në PE e kishte publikuar edhe presidentja Vjosa Osmani gjatë një vizite në vitin e kaluar, por fotografia e saj nuk ishte ripostuar pothuajse nga askush, shkruan Demokracia.com.

Pikërisht fotografia e Zelenskyt solli në kujtesë fotografinë e Osmanit. Ajo nuk kishte publikuar asnjë fotografi të heroit të rezistencës kosovare, Adem Demaçi, e cila po ashtu qëndron në korridoret e Parlamentit të Evropës krahas fituesve të tjerë të çmimit Saharov.

Në fakt, Osmani jo rrallëherë është treguar selektive edhe në ditë përkujtuese karshi figurave emblematike të Kosovës.

Saharov është çmimi prestigjioz që ndan Parlamenti Evropian për personalitetet që kanë dedikuar jetën në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirisë së fjalës.

Edhe pse Osmani s’e kishte bërë, figurën e Demaçit e kishte vlerësuar lartë Parlamenti Evropian, i cili shkroi një shkrim relativisht të gjatë për disidentin kosovar.

Parlamenti Evropian e kishte quajtur Demaçin simbol të përpjekjes për pavarësinë e Kosovës, teksa ia ndau këtë çmim në vitin 1991.

“Duke mbajtur qëndrim kundër shtypjeve të ashpra të regjimit serb, ‘Mandela e Ballkanit’ iu përkushtua promovimit të tolerancës dhe pajtimit etnik në Kosovë”, shkruante Parlamenti Evropian.

Aty theksohet karriera e gjatë e Demaçit si disident dhe përkrahja që i kishte dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Adem Demaçi është simbol i luftës për pavarësinë e Kosovës. I përfshirë si lider i lartë në politikën e vendit për shumë vite, Demaçi ishte gjithashtu i burgosur politik për një kohë të gjatë, i cili kaloi gjithsej 28 vjet në burg për shkak të kundërshtimit të keqtrajtimit të të shqiptarëve etnikë dhe kritikës së komunizmit nën diktatorin jugosllav, Josip Broz Tito”, thuhej tutje në biografinë e Demaçit, të shkruar nga Parlamenti Evropian.

Kujtojmë që edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte fitues i çmimit Saharov.

Rugova e kishte fituar Saharovin në vitin 1998, duke u bërë laureati i dytë shqiptar me këtë çmim prestigjioz. /Demokracia.com/

Të ngjashme