Lajme
LVV-ja sulmon gazetarët në një video propagandistike për veriun, pas raportit që zbuloi se Radoiçiçi u la të ikte në Serbi
Demokracia
16:13 | 26 Maj 2024

Share:

Një ditë pas prezantimit të draftraportit nga raportuesi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Mark Lancaster, në të cilin thuhet se zyrtarë të KFOR-it negociuan për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjë të Zveçanit vitin e kaluar, partia në pushtet në Kosovë publikoi një video propagandistike ku sulmohen gazetarët.

Në raportin e Lancasterit, ku jepen hollësi për sulmin terrorist të fundshtatorit të 2023-s në veriun e Kosovës, thuhet se KFOR-i negocioi për tërheqjen e një pjese të grupit paramilitar serb që sulmoi policinë e Kosovës, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, ndaj të cilit ekziston edhe një fletarrest ndërkombëtar i lëshuar nga INTERPOL-i.

Megjithatë, në videon propagandistike të LVV-së mbi njëvjetorin e trazirave në veri, që rezultuan me futjen e Kosovës nën sanksionet evropiane, partia në pushtet tentoi t’i diskreditojë kritikët e qeverisë, të cilët, duke parë trajektoren e zhvillimeve në veri të vendit, u shprehën skeptikë se katër kryetarët shqiptarë do të vazhdonin punët në objektet komunale.

“Vendosmëria për kushtetushmëri, rend dhe ligj triumfoi. Në anën tjetër, asokohe në shumë studio televizive, nga shumë zëra ngjallej frikë, panik e dorëzim. Por, fotografia e sotme në veri të vendit është përgjigja më e mirë për ata zëra”, pretendoi ajo, derisa riktheu disa nga deklaratat e opinonistëve që atëherë shprehën drojën për pasojat që do të vinin pas ngjarjeve në veri.

Ndryshe, draftraporti “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s” zbuloi: “Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën”. E për ikjen e Radoiçiçit u pyet në prill të këtij viti edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti, gjatë një interviste për transmetuesin britanik “BBC”.

Të ngjashme