Barazia
Presidentja Jahjaga: Edukoni burrat, djemtë, vëllezërit dhe miqtë e juaj mbi të drejtat e grave
Demokracia
13:25 | 08 Mars 2021

Share:

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gruaja e parë që ka shërbyer si Presidente e shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga, flet se sa më e vështirë ka qenë puna e saj vetëm për shkak se është grua.

Në intervistë ekskluzive për Demokracia.com, presidentja Jahjaga thotë se Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në fuqizimin e grave. Por, mbetet edhe shumë për tu bërë. Jahjaga thotë se, çelësi është në edukimin, jo vetëm të vajzave e grave, por sidomos të burrave e djemve.

Demokracia.com: Keni qenë Presidentja e parë në Kosovë, në të vërtetë në tërë Europën juglindore. Si ka ndikuar në punën tuaj fakti që jeni grua, a ju ka bërë kjo të ndiheni më e obliguar që të kryeni sa më mirë punën, që të dëshmoheni në një shoqëri patriarkale?

Atifete Jahjaga: Zgjedhja ime si presidente e parë grua e Republikës së Kosovës ishte pritur me dozë të lartë skepticizmi pikërisht për faktin se isha grua. Vendi ynë, atëkohë, gjendej në një krizë politike dhe përballej me probleme ekonomike e sociale dhe kishte thjesht shumë njerëz që nuk besonin se një grua presidente do të mund ta udhëhiqte vendin drejt daljes nga qorrsokaku në të cilin gjendeshim. Pra, kisha para vetes detyrën që ta udhëhiqja një shtet në një kohë shumë kritike të karakterizuar me përçarje politike brenda dhe me një imazh të rënduar jashtë Kosovës e në të njëjtën kohë, të bindja skeptikët dhe pushtetarët konservatorë se një grua njëmend mund të jetë presidente e suksesshme. Për të dëshmuar aftësitë e saja, në cilëndo sferë të jetës e sidomos në shoqëritë patriarkale, një grua duhet të punojë shumëfish më shumë, duhet të angazhohet shumë më tepër, dhe duhet t’i dëshmojë aftësitë e saj çdo ditë. As unë nuk kam qenë e përjashtuar nga ky standard që fatkeqësisht, ende ekziston jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën.

Demokracia.com: Sa e keni ndier këtë patriarkalizëm? A keni përjetuar pengesa apo vështirësi në punë nga dikush që ju ka parë si më e dobët apo më e papranueshme vetëm për shkak se jeni grua?

Atifete Jahjaga: Në kohën kur kam pranuar mandatin e presidentit të Republikës së Kosovës, politika dominohej goxha shumë nga burrat. Për fat të mirë, situata ka ndryshuar pozitivisht viteve të fundit. Vetëm nëse shohim përbërjen që pritet të ketë legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, vërejmë se gratë janë dukshëm më të përfaqësuara. Pra, kemi ndryshime pozitive!. Nuk dua tani të përqendrohem në problemet e mia, por duhet të shikojmë kah e ardhmja – të kemi më shumë besim në proceset demokratike, të kemi më shumë shpresë dhe të jemi më kërkues në aspektin e llogaridhënies. Si pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë, gratë duhet të kërkojnë vendin e tyre në politikë, ekonomi, shkencë, duhet të thyejnë tabutë dhe të luftojnë stereotipat duke ushtruar edhe profesione që tradicionalisht u kanë takuar burrave. Unë sot do të flas në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës për rolin e grave në sferën e sigurisë. A ka krenari më të madhe se sa të shohësh një numër të madh të grave të suksesshme në Forcën e Sigurisë së Kosovës? Pra, është e vërtetë se ka probleme kur flitet për fuqizimin e gruas, por ne po arrijmë ndryshime pozitive për çdo vit. Këtu duhet ta mbajmë fokusin – te ndryshimet që duhet të bëjmë në të ardhmen.

Demokracia.com: E keni kryer punën me sukses. Këtë e vërteton fakti se edhe sot vazhdoni të luani rol aktiv dhe të keni ndikim në shoqërinë kosovare por edhe të përfaqësoni Kosovën gjithandej nëpër botë. Sa mundoheni që në tërë këto angazhime të keni në fokus fuqizimin e gruas në përgjithësi?

Atifete Jahjaga: Gratë kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë në fokus të punës që bëj! Gratë janë ende grup i margjinalizuar në Kosovë, të cilit i shkelen të drejtat bazike në baza ditore. Ato ballafaqohen me barriera të shumta kulturore, ligjore, sociale, e ekonomike në përditshmërinë e tyre. Pas mbarimit të mandatit si Presidente e Republikës së Kosovës, kam pasur më shumë kohë dhe më është dhënë liria që të zgjedh fushën e angazhimeve të mia. Përgjatë karrierës sime e kam parë se gratë kanë nevojë për më shumë ndihmë e mbështetje. Andaj, vazhdoj të avokoj dhe të loboj për të drejtat e tyre në të gjithë sferat e jetës brenda Kosovës dhe jashtë vendit. E ndjej si obligim moral të angazhohem në këtë drejtim. Gratë duhet të ndihmojnë gratë. Është kaq e thjeshtë!

Demokracia.com: Jeni ende shumë aktive, duke punuar brenda në Kosovë por edhe duke e përfaqësuar Kosovën jashtë vendit. Cilat angazhime aktuale do t’i dallonit dhe do t’i përmendni këtu?

Atifete Jahjaga: Vazhdoj të angazhohem fuqishëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ju e dini se, për shkak të neglizhencës shoqërore e institucionale me të cilën ishin ballafaquar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me vite të tëra, më 2014 pata iniciuar themelimin e Këshillit për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës në Kosovë është derivat i këtij këshilli dhe po vazhdon ende me pranimin e aplikimeve nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Edhe në takimet, diskutimet, konferencat dhe platformat e ndryshme që organizohen lidhur me këtë çështje jashtë Kosovës vazhdimisht synoj ta ngrehi zërin dhe ta mbaj Kosovën në agjendën e zhvillimeve ndërkombëtare. Përveç fuqizimit të grave, angazhohem edhe shumë për fuqizimin e rinisë, e cila është aseti ynë më i madh e më i rëndësishëm. Në kohën kur po përballemi me një tendencë për ikjen e të rinjve nga Kosova, duhet të punojmë shumë për t’i mbajtur ata këtu, për të krijuar kushtet që të rinjtë e të rejat të jenë në gjendje ta arrijnë potencialin e tyre të plotë. Investimin më të madh duhet ta bëjmë tek e ardhmja e djemve dhe vajzave tona!

Demokracia.com: Po Fondacioni Jahjaga, sa realizon projekte që synojnë promovimin, fuqizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave?

Atifete Jahjaga: Fondacioni Jahjaga angazhohet për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë për të gjithë. Jam krenare me punën e deritashme të Fondacionit Jahjaga, që ndihmon ndërtimin e një demokracie gjithëpërfshirëse në Kosovë. Duke rritur rolin e grupeve të margjinalizuara në proceset e vendimmarrjes, ne mund të kontribuojmë në fuqizimin ekonomik të tyre dhe t’i shndërrojmë ata në bërës aktivë të ndryshimeve. Ndihma për të ndërtuar pajtimin ndëretnik dhe rajonal dhe për të promovuar përfshirjen sociale dhe rivendosja e grupeve shoqërore të margjinalizuara si pjesë e shoqërisë është kritike për ta arritur këtë. Ne e dimë që gratë janë shtylla kurrizore i këtij vendi – ato janë agjentet e ndryshimit. Është evidente në të gjithë globin: kur gratë përfshihen ekonomikisht dhe politikisht, shoqëritë janë më të qëndrueshme. Përfshirja e grave në të gjitha nivelet e qeverisë sonë do të sjellë ndryshime pozitive dhe do të jetë kruciale në ballafaqimin me sfidat në arsim, ekonomi, shëndetësi, rend e ligj, mbrojtje të ambientit e të tjera.

Demokracia.com: A po bëhet mjaft për fuqizimin e gruas në Kosovë – në shtëpi, në punë, në shoqëri, kudo në përgjithësi? Ku duhet të përqendrohet shoqëria kosovare më shumë? Po institucionet?

Atifete Jahjaga: I përmenda, pak më parë barrierat ende ekzistuese kulturore, ligjore, sociale e ekonomike në lidhje me fuqizimin e grave në shoqërinë tonë. Ne duhet të punojmë në eliminimin e këtyre barrierave. Këtë mund ta bëjmë përmes vetëdijesimit e edukimit, përmes ndryshimit të legjislacionit në mbështetje të barazisë gjinore dhe implementimit të plotë të tij, përmes përfshirjes së grave në proceset e politikbërjes dhe në proceset e vendimmarrjes. Krijimi i politikave publike që marrin parasysh të drejtat dhe nevojat e grave, të rinjve, të grupeve të margjinalizuara dhe të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë sonë është parakusht që ne të krijojmë ndryshime pozitive. Pra, duhet vullnet politik për të arritur barazinë gjinore dhe duhen veprime e plane konkrete për ta përkthyer atë vullnet politik në rezultate të prekshme.

Demokracia.com: Cili do të ishte mesazhi juaj për gratë kosovare, gratë shqiptare në përgjithësi, sidomos për vajzat e reja që janë në fillet e jetës së tyre profesionale?

Atifete Jahjaga: Edukoni burrat, djemtë, vëllezërit dhe miqtë e juaj mbi të drejtat e grave! Jemi në shekullin XXI dhe ende duhet të kërkojmë të drejtat që na garantohen me legjislacionin vendor e ndërkombëtar. Kjo është shumë absurde. E në të njëjtën kohë dëshmon se duhet të bëjmë më shumë punë për vetëdijesimin e burrave, se sa për vetëdijesimin e grave. Shumica dërrmuese e grave i njohin të drejtat e tyre, por e kanë të vështirë t’i realizojnë ato për shkak të paragjykimit dhe diskriminimit në baza gjinore. Barazia gjinore duhet të jetë ligjëratë e përditshme që nënat e baballarët ua mbajnë fëmijëve të tyre – djemve ashtu edhe vajzave. Edukimi e vetëdijesimi janë veprimet ndoshta më të thjeshta për t’u bërë për ta ndryshuar të ardhmen dhe të avancojmë gratë në shoqërinë tonë!

Të ngjashme