Sport
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi priti stafet mjekësore të FC Drita dhe FC Ballkani: Ata shpëtuan jetën e një tifozi
Demokracia
14:17 | 03 Maj 2022

Share:

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi bashkë me anëtarët e KE të FFK-së, Mirsad Çollaku e Agim Nura kanë pritur sot stafet mjekësore të FC Drita dhe FC Ballkani; Dr. Bujar Fazliu, Leutrim Kërqeli, Dr. Hadi Hasanaj, Gled Rexhaj dhe Krenar Zenelaj, të cilët javën e kaluar në ndeshjen e xhiros së 31-të në BKT Superligë, ia shpëtuan jetën një tifozi në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Në fakt, një qytetar i pranishëm në tribuna pësoi sulm kardiak gjatë zhvillimit të ndeshjes, për çka gjyqtari Genc Nuza e ndërpreu ndeshjen, duke ia mundësuar stafeve mjekësore intervenimin e shpejtë dhe shpëtimin e jetës së këtij qytetari.

Presidenti Ademi i shprehu mirënjohje protagonistëve të kësaj ngjarje dhe i falënderoi ata në emër të FFK-së për reagimin e tyre të shpejtë dhe tejet profesional në shpëtimin e një jete. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet stafeve mjekësore të FFK-së dhe të klubeve me ato të UEFA-s, në mënyrë që shëndeti i futbollistëve, por edhe i të gjithë pjesëmarrësve tjerë në një ndeshje futbolli të jetë i sigurt.

Ndërkaq, stafet mjekësore të të dyja klubeve e falënderuan presidentin Ademi për pritjen dhe mirënjohjen, derisa vlerësuan gatishmërinë e tij për të ndihmuar në rritjen e nivelit të sigurisë shëndetësore në ndeshjet e futbollit.

Të ngjashme