Lajme
“Preket Kushtetuta, Kuvendi duhet ta miratojë…” | Si e la Osmani në harresë “mbrojtjen” e Kushtetutës nga Marrëveshja e Kurtit?
Demokracia
21:02 | 26 Nëntor 2023

Share:

 “Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kjo është një deklaratë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dërguar medieve nëpërmjet këshilltarëve të saj, më 28 shkurt 2023, vetëm një ditë pas dakordimit mes Kosovës dhe Serbisë në kryeqendrën evropiane, shkruan Demokracia.com.

Por, edhe tani 9 muaj pas kësaj deklarate, presidentja Vjosa Osmani e ka lënë në harresë kërkesën e saj për të mbrojtur Kushtetutën e Kosovës. Askush nuk e trajtoi me seriozitet kërkesën e të parës së shtetit, ashtu si edhe ide të tjera, por as ajo nuk këmbënguli në mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës nga Marrëveshjet e Kurtit për të cilat nuk është e bindur se janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Madje, kjo kërkesë e Osmanit nuk u trajtua as nga Kuvendi i Kosovës, aty ku ajo dhe kryeministri Kurti (LVV & Guxo) kanë mbi gjysmën e deputetëve.

Osmani e kishte prezantuar këtë kërkesë pasi sipas saj, kryeministri Kurti kishte pranuar në Bruksel disa propozime jo të lehta, që më vonë i kishte quajtur si koncesione.

“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thoshte në reagimin e saj presidentja Osmani.

https://demokracia.com/noterja-e-shtetit-deklarohet-permes-keshilltarit-te-saj-per-takimin-ne-bruksel-jane-pranuar-edhe-disa-propozime-jo-te-lehta/

https://demokracia.com/osmani-e-quajti-si-koncesion-jo-te-lehte-cka-thuhet-ne-nenin-7-qe-e-pranoi-kurti/

Më 27 shtator 2023, presidentja Osmani kishte prezantuar publikisht edhe idenë që Republika e Kosovës të përgatis së bashku me ShBA-të draftstatutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por që rezultoi e kotë dhe që nuk e dëgjoi as Kurti.

Duke para injorimin e kësaj ideje, as Osmani nuk e përsëriti më, derisa një muaj më vonë, më 21 tetor 2023, një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i është dorëzuar nga 5 emisarët (ShBA, BE, Gjermani, Francë dhe Itali), kryeministrit Albin Kurti. Këtë dokument, Kurti është ofruar ta nënshkruajë më 26 tetor në Samitin e Këshillit Evropian që po mbahej në Bruksel. Këtë gatishmëri, Kurti e kishte shprehur në takim me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/asociacionin-ta-pergatisim-me-shba-ne-nje-ide-nga-osmani-qe-rezultoi-e-kote-dhe-nuk-e-degjoi-as-kurti/

Të ngjashme