Lajme
“Asociacionin ta përgatisim me ShBA-në” | Një ide nga Osmani që rezultoi e kotë dhe nuk e dëgjoi as Kurti
Demokracia
09:51 | 12 Nëntor 2023

Share:

“Ne duhet të ulemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta përgatisim draftin tonë [të Asociacionit], draftin e Republikës së Kosovës”.

Kjo është një ide e prezantuar nga presidentja Vjosa Osmani, më 27 shtator të vitit 2023, vetëm tri ditë pas kthimit të saj nga Nju Jorku, ku kishte marrë pjesë në hapjen e sesionit të ri të punës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Përveç faktit se askush në Qeverinë e Kosovës nuk e mori me seriozitet këtë ide, e njëjta nuk ngjalli kurrfarë debati në Kosovë. Si e tillë, ideja e presidentes Osmani rezultoi se ishte e kotë dhe që nuk e dëgjoi askush, shkruan Demokracia.com.

Vetëm një muaj më vonë, më 21 tetor 2023, një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i është dorëzuar nga 5 emisarët (ShBA, BE, Gjermani, Francë dhe Itali), kryeministrit Albin Kurti.

Ky fakt, tregon se presidentja Osmani është lënë anash dhe po mbahet e painformuar për rrjedhën në dialogun Kosovë – Serbi dhe se ajo nuk kishte njohuri se ky proces kishte shkuar kaq largë saqë një draft-statut veçse ishte gati t’i dorëzohej kryeministrit Kurti.

Më 21 tetor 2023, dialogu Kosovë – Serbi ka marrë dinamikë tjetër. 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, i kanë dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ata [5 emisarët] propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithpërfshirës të Marrëveshjes Bazikë bashkërisht me një drat të propozuar për zbatimin e Nenit 7 [Vetëmenaxhimi për serbët dhe zyrtarizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe]”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës të datës 25 tetor, duke paralajmëruar takimin e kryeministrit Kurti më 26 tetor.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/kurti-i-jep-driten-jeshile-planit-te-emisareve-dhe-draft-statutit-te-asociacionit/

Draft-Statutin për Zajednicën apo Asociacionin, Kurti, ndryshe nga Vuçiq, ishte i gatshëm ta nënshkruante qysh më 26 tetor në Samitin e Këshillit Evropian që po mbahej në Bruksel. Këtë gatishmëri, Kurti e kishte shprehur në takim me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak.

”Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosoës të 26 tetorit 2023.

Njoftimi i plotë i Qeverisë së Kosovës: https://kryeministri.rks-gov.net/blog/komunikate-per-media-pas-takimit-ne-bruksel-me-kreret-e-bashkimit-evropian/

Ideja e presidentes Osmani nuk ishte mbështetur as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, më 13 tetor 2023 u deklarua lidhur me idenë e Osmanit, duke thënë se “stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë Bashkimit Evropian. / Demokracia.com /

ShBA-ja nuk mbështet kërkesën e Osmanit për Asociacion me amerikanët | Hovenier: Stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë BE-së

Të ngjashme