Lajme
Prapë në krahët e Edi Ramës | Pas tri refuzimeve në verë, Kurti merr guximin të shkojë në Tiranë për Porcesin e Berlinit
Demokracia
09:35 | 09 Tetor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me shumë zhurmë e kishte refuzuar takimin e mesit të korrikut në Tiranë me liderët e rajonit, i cili u organizua nga Republika e Shqipërisë dhe që kishte për qëllim përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në kryeqytetin shqiptar, shkruan Demokracia.com.

Por, tre muaj pas këtij refuzimi, Kurti duket se do të përfundojë prapë në krahët e Edi Ramës, i cili si kryeministër i Shqipërisë do të jetë nikoqir i gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve kyç të BE-së, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në tri raste, kryeministri Kurti kishte refuzuar takimet me kryeministrin Rama, gjatë muajit qershor dhe korrik të vitit 2023.

Fillimisht në mes të qershorit, kryeministri Rama kishte kërkuar takim me Kurtin, por që ishte refuzuar nga ky i fundit, duke kërkuar që të mbahej vetëm mbledhja mes dy qeverive.

Rama, si kryeministër i një shteti anëtar i NATO-s, kishte kërkuar një takim me Kurtin për të diskutuar për përshkallëzimin e situatës së sigurisë në veriun e Kosovës pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Kurti nuk e do as Shqipërinë, refuzon një takim vëllazëror me Edi Ramën

Albin Kurti, paradite kërkoi takim urgjent me Aleksandar Vuçiqin, pasdite refuzoi një takim me kryeministrin shqiptar, Edi Rama

Vetëm dy javë pas këtij refuzimi, Rama ndërmori një tur ballkanik nëpër shtetet e rajonit. Në mesin e tyre ai qëdroi edhe në Kosovë, por që nuk u prit në takim nga i zoti i shtëpisë, kryeministri Kurti, duke i ndihmuar përkeqësimit të raporteve me Republikën e Shqipërisë, me të cilën dikur opozitari Kurti premtonte bashkim, por që e bratisi kur u bë kryeministër.

“Në pritje të konfirmimit të takimit me Kurtin” – Rama publikon agjendën e turit të tij ballkanik

Refuzimi i tretë nga ana e Kurtit ndodhi me rastin e organizimit të takimit përgatitor për Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 tetor 2023.

Në vend të Tiranës zyrtare, Kurti zgjodhi ishujt luksoz të Greqisë për të marrë pjesë në një konferencë të parëndësishme për shtetin e Kosovës dhe për rajonin në përgjithësi.

La Shqipërinë për Greqinë| Kurti kritikohet për papjekuri shtetërore

Pas të gjitha këtyre refuzimeve, kryministri Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen gati 10 ditë para ngjarjes.

Më 16 tetor, Nismës që synon bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në përafrimin me Bashkimin Evropian, do t’i shtohet edhe një marrëveshje e re.

Udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës, pritet të nënshkruajnë ujdinë për njohjen e ndërsjellët edhe të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinarët, të cilat do t’i shtohen profesioneve që tashmë janë të rregulluara për mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Po ashtu, do të synohet të ketë deklarata të përbashkëta për lehtësimin e tregtisë dhe transportin, për mbrojtjen e ambientit dhe partneritetit për klimën.

Të ngjashme