Lajme
Prania e KFOR-it reduktohet kur Kosova e Serbia arrijnë përparim në dialog, thotë Holtzapple
Demokracia
10:37 | 03 Shkurt 2024

Share:

Zëvendës-shefi i Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Richard Holtzapple, beson se prania e KFOR-it në Kosovë mund të fillojë të reduktohet vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia arrijnë përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk mund të parashikoj se sa do të qëndrojë KFOR-i në Kosovë. Shpresojmë se do të ketë përparim në dialog, me ndërmjetësimin e BE-së, që do të krijojë kushte për reduktimin e pranisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Megjithatë Holtzapple ka potencuar se NATO ka treguar aftësinë e saj për të pasur një mision për kohë të gjatë në Kosovës duke u përshtatur me situatën.

“Nuk mund të them se edhe pas pesë vjetësh do të na duhet KFOR-i në Kosovë, unë jam shumë optimist se do të shohim progres politik që do të mundësonte mundësi të tjera”, ka theksuar ai.

I pyetur për mundësinë e ndonjë eskalimi në Ballkanin Perëndimor, Holtzapple, ka vlerësuar se rreziku në rajon është i njëjtë si në 30 vitet e mëparshme.

“Është e nevojshme që të gjitha shtetet në rajon të kenë bashkëpunim produktiv. Ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në tre dekadat e fundit, por ka ende punë për të bërë”, ka pohuar ai.

NATO ka shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë. Rreth 1 mijë ushtarë në kaudër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash, ndërsa Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet për të paktën 100.

Të ngjashme