Auto&Tech
Pos TikTok-ut, Franca ndalon përdorimin e Instagramit, Twitterit dhe aplikacioneve të tjera në telefonat e punonjësve të qeverisë
Demokracia
08:13 | 26 Mars 2023

Share:

Franca ka ndaluar përdorimin “rekreativ” të TikTok, Twitter, Instagram dhe aplikacioneve të tjera në telefonat e punonjësve të qeverisë për shkak të shqetësimeve për masat e pamjaftueshme të sigurisë së të dhënave.

Ndalimi do të hyjë në fuqi menjëherë, shkroi të premten në Twitter Ministria e Transformimit të Sektorit Publik dhe Shërbimi Civil, transmeton Telegrafi.

“Për të garantuar sigurinë kibernetike të administratave dhe nëpunësve tanë civilë, qeveria ka vendosur të ndalojë aplikacionet rekreative si TikTok në telefonat zyrtarë të nëpunësve civilë”, tha ministri Stanislas Guerini të premten.

Ai shtoi se për disa javë, disa nga partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë të Francës kanë miratuar masa për të kufizuar ose ndaluar shkarkimin dhe instalimin ose përdorimin e aplikacionit kinez për ndarjen e videove TikTok nga administratat e tyre.

Guerini tha se aplikacionet rekreative nuk kanë nivele të mjaftueshme të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave në mënyrë që të vendosen në pajisjet e administratave, duke shtuar se përjashtimet mund të jepen për arsye profesionale, siç është komunikimi institucional i një administrate.

Një varg qeverish dhe institucionesh kanë ndaluar TikTok-un në javët e fundit, duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë, parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, administratën holandeze dhe belge, parlamentin e Zelandës së Re dhe qeveritë e Kanadasë, Indisë, Pakistanit, Tajvanit dhe Jordanisë.

Të ngjashme
Auto&Tech • 29 Maj 2024