Lajme
Poroshenko: Kjo luftë është kundër gjithë Perëndimit
Demokracia
15:16 | 07 Mars 2022

Share:

Ish-presidenti i Ukrainës, i veshur me uniformë ushtarake, u është bashkuar grupit të civilëve që po sigurojnë ndihma për ushtarët. I armatosur, Petro Poroshenko, sipas raportimeve, ndodhet në një nga rrugët kryesore që është ende e hapur jashtë kryeqytetit Kiev.

Duke folur me një grup xhirimi të Sky News, ai u shpreh se grupi i tij ka siguruar mbrojte ushtarake për 2,500 njerëz.

“Rreth 17 raketa goditën mbrëmë në Kiev”, tha ai.

I pyetur nëse pret që Rusia t’i përmbahet premtimit të saj për një armëpushim të përkohshëm për të lejuar evakuimin e qytetarëve, ai tha: “Ju lutemi mos i besoni Putinit”.

“Presidenti rus nuk i ka mbajtur kurrë premtimet e tij gjatë tetë viteve të luftës.”

Poroshenko shtoi se ai nuk është “shumë optimist” për bisedimet e paqes midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas që pritet të mbahen sot.

““Kjo nuk është luftë vetëm kundër Ukrainës, nuk është luftë vetëm kundër ukrainasve. Është luftë kundër vlerave tona, kundër gjithë Perëndimit, kundër SHBA-së, kundër Evropës, kundër Britanisë. Ne nuk kemi nevojë tani për pilotë amerikanë, nuk kemi nevojë për ushtarë amerikanë, thjesht na jepni mundësinë t’ju mbrojmë. Kjo është shumë e thjeshtë. E dyta, është shumë e rëndësishme që të mos blini gazin rus, sepse çdo dollar që shpenzoni për të, është dollar për ushtrinë ruse. Ju lutem vendosini embargon naftës ruse.”

Të ngjashme