Lajme
Lladrovci në 27 vjetorin e rënies së Luan Haradinajt: UÇK-ja kishte Luan
Demokracia
21:01 | 06 Maj 2024

Share:

Kryetari i Drenasit, e bashkëluftëtari i Luan Haradinajt, Ramiz Lladrovci, ka vënë kurora me lule dhe ka nderuar heroin e kombit Luan Haradinaj.

Në postimin e tij në Facebook Lladrovci ndër të tjera ka shkruar, “Gjysma e njësitit që i priu Luan Haradinaj, janë pjesë e historisë tonë të re, për të mbetur përgjithmonë në kujtesën e kombit, e ne, të gjallët që ishim me të, na mbetet të dëshmojmë se UÇK-ja kishte Luan.

E plotë:

Sot, në përvjetorin e rënies heroike, me bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, kemi vënë kurora me lule dhe kemi bërë nderim, para vendit ku prehet heroi i Kosovës, Luan Haradinaj, në Memorialin e dëshmorëve në Gllogjan.

Luani i UÇK-së, shtigjet e lirisë i njihte cep më cep, si fletë të historisë, ai i dinte përmendësh. Ajo ditë, para 27 vitesh, ishte ditë Shëngjergji, ditëlindje e Skënderbeut dhe ditëlindje e nënës Rukë.

Kolona marshoi sipas planit, por, armiqtë kishin zënë pritë në Qafë Mullar. Kur ne u gjendem në lëndinë, forcat okupatore na pritën me breshëri armësh. Në lëndinë, ne nuk kishim asnjë mburojë për zhvillimin e luftës, megjithatë morëm hak. Luani shtinte me armë kundër okupatorëve duke qëndruar në këmbë.

Një plumb i kobshëm i armikut e goditi Luanin për vdekje ndërsa të plagosur mbetën Fehmiu, Rafeti dhe Ramushi. Atë ditë, me Luanin këtë njësit e përbënin edhe Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ramush Haradinaj, Selim Krasniqi, Rafet Rama, Gani Rama dhe unë.

Gjysma e njësitit që i priu Luan Haradinaj, janë pjesë e historisë tonë të re, për të mbetur përgjithmonë në kujtesën e kombit, e ne, të gjallët që ishim me të, na mbetet të dëshmojmë se UÇK-ja kishte Luan.

Lavdi e përjetshme heroit Luan Haradinaj!

Të ngjashme