Lajme
Humbja e aleatëve | Lojërat e rrezikshme të Albin Kurtit në kurriz të shtetit të Kosovës
Demokracia
18:02 | 12 Shkurt 2024

Share:

Politikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të pakoordinuara me aleatët e shtetit të Kosovës, po sjellin pasoja të pariparueshme për Republikën e Kosovës dhe konsolidimin e saj në arenën ndërkombëtare.

 

Pa marrë parasysh çmimin e lartë që po e paguan shteti i Kosovës, Albin Kurti është i zënë duke llogaritur vetëm sondazhet zgjedhore, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Kurti nuk është aspak i brengosur për rezultatet e politikave të pakoordinuara në arenën ndërkombëtare, as atëherë kur Departamenti i Shtetit të SHBA-së bëri të ditur qëndrimin më 1 shkurt 2024 se “pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Pikërisht këtë paralajmërim amerikan, Kurti e ndjeu nën lëkurën e tij në mbledhjen e datës 9 shkurt 2024 në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, aty ku dukej i vetmuar dhe i përhumbur në sallën e madhe.

Por, fatkeqësisht, aty nuk ishte lënë i vetmuar personi me emrin Albin Kurti, por Kryeministri i Republikës së Kosovës. Pra, zëri i shtetit të Kosovës nuk kishte kumbimin e zakonshëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Japonia e shtete të tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e thanë hapur se nuk mbështesin vendimet e njëanshme të shtetit të Kosovës, siç ishte rasti me rregulloren e BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

Lexo më shumë:

Nën Kurtin, Kosova fillon të marrë teposhtëzen | Ndodhi për herë të parë në Këshillin e Sigurimit, SHBA-ja dhe vendet e tjera aleate nuk përkrahin vendimet e shtetit të Kosovës

Në mungesë të mbështetjes së vendimeve të shtetit të Kosovës, Rusia dhe Kina, e rrjedhimisht edhe Serbia, shfrytëzuan mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zhvilluar edhe më shumë propagandën e tyre se Kosova është veç një projekt i dështuar i Perëndimit që drejtohet nga SHBA.

Për të shmangur situata si kjo, kryeministri Albin Kurti duhet të jetë më shumë i zënë duke menduar për fatin e Republikës së Kosovës, duke ruajtur marrëdhëniet me shtetet aleate dhe jo duke u marrë me statistikat e sondazheve zgjedhore apo zgjedhjet në vendet e rajonit, sepse një ditë ato mund të mos kenë kurrfarë vlere.

Një ditë mund të bëhet vonë dhe mbledhjet si ajo e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku kryeministri i Kosovës korri një rezultat katastrofal, mund të bëhen të zakonshme.

Për më tepër, kjo mund të shpërndahet edhe në forumet e tjera, nëpër kryeqendra të tjera vendimmarrëse.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithmonë në çdo ngjarje në të cilën është folur për Republikën e Kosovës. Ato nuk kanë qëndëruar të heshtura, por kanë qenë të zëshme për Republikën e Kosovës dhe avancimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Sot, më 12 shkurt 2024, me anë të një statusi të shkurtër, Kurti ka njoftuar se është “tërhequr” përkohësisht dhe Qeveria e Kosovës s’do të zbatojë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit në heqjen nga përdorimi të dinarit serb.

“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë të njëjtin qëndrim me përkushtim”, shkroi ai.

Lexo më shumë:

Pas dramave një mujore dhe kritikave mbi Kosovën në OKB, Kurti njofton për “tërheqjen“ për Dinarin e Serbisë

Por, as kjo mënyrë e të bërit politik, përjashto anën joserioze të saj, nuk i shërben shtetit të Kosovës, pasi ajo nuk është politikë vendimmarrëse dhe që vjen nga burrështetas, por më shumë si përgjigje e zbutur ndaj reagimeve të ashpëra të bashkësisë ndërkombëtare. /Demokracia.com/

Të ngjashme