Lajme
Policia jep detaje shtesë për vrasjen e dyfishtë në lagjen Kalabria në Prishtinë
Demokracia
11:21 | 14 Mars 2021

Share:

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen Kalabria në Prishtinë.

Mëngjesin e sotëm ka ndodhur një vrasje e dyfishtë në lagjen Kalabria në Prishtinë.

Demokracia.com nga burime të saja ka mësuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur për shkaqe xhelozie.

Lulzim Sopi dhe Sebahate Sopi kanë qenë të ndarë që një kohë, ndërsa ngjarja ka ndodhur tek banesa e kësaj të fundit.

Lexo edhe:

Detaje ekskluzive: Lulzim Sopi dyshohet se e vrau ish-bashkëshorten e tij për shkaqe xhelozie

Në anën tjetër, Flora Ahmeti zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka thënë për Demorkacia.com se bëhet fjalë për vrasje dhe vetëvrasje dhe se viktimat janë të moshës 44-vjeçare.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes – kryerjes së ekzaminimeve forenzike të deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe vetëvrasjes. Viktimat një femër 44 vjeç dhe një mashkull 44 vjeç, shtetas Kosovar, kanë humbur jetën nga plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit”, ka thënë Ahmeti për Demokracia.com.

Tutje ajo ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë dhe se policia është duke punuar për zbardhjen e këtij rasti.

“Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri ( revole ) e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast. Aktualisht po vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes”, tregoi Ahmeti. /Demokracia.com/

Të ngjashme