Lajme
Policia jep detaje për rrahjen e gruas së zëvendësministrit Dukagjin Pupovci
Demokracia
18:09 | 10 Maj 2022

Share:

Një prind i një studenti dyshohet se ka sulmuar fizikisht profesoreshën e Fakultetit të Mjekësisë.

Bëhet fjalë për profesoreshën e këtij fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovcit, apo ndryshe gruan e zëvendës ministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Popovci, shkruan Demokracia.com.

Ngjarja kishte ndodhur për motiv të një mosmarrëveshje mes profesoreshës dhe studentit, me ç’rast prindi i studentit, në shenjë pakënaqësie lidhur me ankesat e djalit të tij, dyshohet se ka grushtuar profesoreshën dhe e ka sulmuar me mjet të fortë (gotë qelqi).

Ngjarja është raportuar edhe në Polici nga sigurimi i Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë kontaktuar me viktimën, kanë siguruar provat materiale dhe kanë marrë deklaratat e dëshmitarëve okularë.

Lidhur me këtë ngjarje, për Demokracia.com, ka folur zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 14 :30, kemi marrë informatën se në Fakultetin e Mjekësisë, në Prishtinë, një person është sulmuar fizikisht. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar një person ( femër), e cila është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, ka deklaruar ajo.

Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, i cili është në pritje të rezultatit preliminar të hetimit në mënyrë që të vendos për masën e sigurisë për personin e dyshuar./Demokracia.com/

Të ngjashme